Takimi në selinë e re të PD, Arvizu: S’mbajmë qëndrim për godinën

70

arvizuKreu i prezencës së SHBA-së Aleksandër Arvizu ka falënderuar sot Partinë Demokratike për bashkëpunimin afatgjatë pavarësisht pakënaqësive që eksponentë të caktuar të kësaj partie kanë pasur kohët e fundit kundrejt tij.

Pas takimit të parë me kreun e ri të selisë blu, Lulzim Bashën, ambasadori në ikje teksa e ka uruar personalisht për detyrën, theksoi rolin e rëndësishëm që ka opozita në jetën politike në vend si përqendrimi tek qëllimi më i madh për shqiptarët pa dallime politike: integrimin.

“Pasi zoti Basha u zgjodh kreu i ri i PD kam pasur mundësi të shkëmbej një informacion jo zyrtar duke e përgëzuar për detyrën dhe tani pata rastin ta takoj. Dëshiroj ta falenderoj atë dhe PD për bashkëpunimin afatgjatë dhe ky bashkëpunim të vijojë dhe më tej. Folëm për qëllimin e zjarrtë të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, që është shtegu Europian i Shqipërisë, shtegu euroatlantik, rruga drejt Brukselit. Folëm për rolin e opozitës së vendit, pasi në çdo demokraci është e rëndësishme që të gjitha partitë të luajnë rolin e tyre dhe nëse do të shprehesha me një metaforë do të thoja që “në krye të autobusit të jenë të gjithë”, u shpreh Arvizu.

Ambasadori Arvizu sqaroi edhe pozicionin e SHBA-së mbi debatin dhe polemikat mbi pronësinë e selisë së re të PD-së.“Dëshiroj të vlerësoj shkurtimisht vendndodhjen ku jemi takuar sot. Gjithashtu dallojmë se cështja e kësaj prone ka qenë subjekt i polemikave të ndryshme. SHBA nuk mbajnë qëndrim sa i përket asaj, por ajo që ne këshillojmë është përmbajtja kundrejt shtetit ligjor dhe objektivitet. Ky takim ishte parashikuar të zhvillohej më herët dhe ishte menduar të takoheshim në selinë blu. Më pas u njoftuam që Partia Demokratike kishte lëvizur këtu dhe ishte e gatshme të na priste dhe kjo shpjegon arsyen pse ndodhemi këtu sot”, sqaroi Arvizu.

Nga ana e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri publike faktin se në takim u shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjes teksa e ka siguruar ambasadorin amerikan për një opozitë të fortë, ballore në mbrojtje të interesit publik.

“Përshëndetje! Sot kam pritur në seline e re të Partisë Demokratike Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Alexander Arvizu dhe bashkëpuntorët e tij, Zv. Ambasadorin Z. Jardine dhe dy bashkëpuntorë të rinj që sapo kanë mbërritur në Tiranë. Është takimi im i parë me të në detyrën time si Kryetar i Partisë Demokratike dhe me këtë rast shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë çështjesh që nga procesi zgjedhor i 23 Qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit dhe çështje të rëndësishme të integrimit Europian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik si dhe roli i Partisë Demokratike si një opozitë e forte ballore, krijuese dhe moderne në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të qytetarëve Shqiptarë”, theksoi Basha.