Tahiri me homologun francez Valls, marrëveshje dypalëshe mbi trafikun dhe azilin

38

12777 M. VALLS reçoit M. TAHIRIMinistria e Brendshme ka njoftuar në një deklaratë për mediet, se Ministri i Brendshëm Tahiri, ka pasur një takim të frytshëm me homologun e tij francez Manuel Valls.

Sipas deklaratës së Ministrisë, Tahiri e ka siguruar homologun francez, se integrimi europian është një prioritet i padiskutueshëm për Qeverinë Shqiptare duke garantuar gatishmërinë për të ecur përpara me procesin e reformave, veçanërisht në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës.

“Rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit gjatë dy muajve të fundit ministri Tahiri i ka konsideruar si një shenjë të qartë të vullnetit të Qeverisë për të luftuar pa asnjë kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha trafiqet e paligjshme. Ai ka shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me policinë franceze”,- njofton Ministria e Brendshme.

Ministri i Brendshëm francez, Valls ka deklaruar se si Franca edhe KE kanë shënuar rezultat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa thekson prioritetin e Francës për frenimin e azilkërkuesve shqiptarë.

“Ne e duam Shqipërinë në familjen Evropiane, ndaj jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë. Qeveria franceze është e kënaqur dhe po e ndjek me vëmendje punën e Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë shqiptare. Ashtu si Komisioni Evropian, edhe ne kemi shënuar rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë që mbetet ende për të bërë, veçanërisht për çështjen e shtetasve azilkërkues. Marrëveshja e ripranimit që kemi nënshkruar mes dy vendeve po funksionon shumë mirë”, deklaroi Valls.

Ministri Tahiri dhe Ministrit Valls ranë dakord për nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe për luftën e përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe abuzimit me regjimin e azilit.

Nga ana e tij Ministri Tahiri ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan integral për të frenuar azilkërkuesit, duke përcaktuar detyra konkrete për strukturat e policisë, por edhe masa më të ashpra për punonjësit e policisë që janë të lidhur me këtë fenomen, apo me trafikun e qenieve njerëzore.

Gjithashtu, Ministri Vals u shpreh i gatshëm për të ndihmuar forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë Shqiptare nëpërmjet krijimit të mundësive për oficerët shqiptarë të cilët mund të studiojnë në akademinë e policisë franceze.