Patrik Svensson i dërguari me punë i Suedisë në Tiranë në një intervistë për Top Channel deklaron se Qeveria së bashku me partitë politike të vendit skandinav janë pro Shqipërisë në marrjen e vendit kandidat.
“Mund t’ju them se Suedia pas konsultimeve të kujdesshme, gjithashtu një rishikimi me shumë kujdes të progresraportit nga Komisioni, arrin në përfundimin se pozicioni ynë është pro rekomandimit tw Komisionit për Këshillin e Ministrave te BE, që Shqipërisë duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat. Kështu ne jemi pro këtij rekomandimi”, tha Svensson.
Suedia bën pjesë në ato vende të cilat kanë shprehur skepticizëm në proceset integruese të Shqipërisë. Diplomati Svensson tregon se cfarë e shuajti këtë skepticizmëm.
“Në rastin konkret për Shqipërinë ne mendojmë se cfarë i është kërkuar nga progress raporti 2012 ka gjetur realizim. Prandaj ne mendojmë se çfarë thuhet në progresraport mbështetet në fakte të forta. Kjo na bën të besojme se ka ardhur koha qe Keshilli të aprovoje statusin e vendit kandidat. Natyrisht nuk mund të themi se gjithcka është përmbushur pasi keni përpara një rrugëtim të gjatë drejt integrimit. Në të tilla kushte ne presim një progres të mëtejshëm në të gjitha drejtimet e adresuara nga komisioni. Jo vetëm në ato 5 prioritete që lidhen me ligjzbatimin, të renditura qartësisht nga komisioni. Pra ju duhet një progres akoma më i madh për hapin tjetër për çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Svensson.
Top Channel: A jeni të kënaqur me përpjekjet e deritanishme të Qeverisë shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dy prej rekomandimeve kryesore të progresraportit 2013?
“Mund t’i përgjigjem kësaj pyetje në këtë mënyrë. Po, është bërë progres kur flasim për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, gjë e cila është vlerësuar nga komisioni në progresraport. Ky progres është realizuar prej Qeverisë së shkuar dhe Qeverisë së re, paçka se nuk ka shumë kohë që ka marrë detyrën. Qeveria e re e ka nisur punën duke ndërtuar përpjekje konstruktive. Qeveria e re është duke u marrë me këto çështje në mënyrë tejet serioze duke demostruar vendosmëri në arritjen e progresit gjatë kësaj kohe të shkurtër në qeverisjen e vëndit dhe ka arritur progres”, theksoi Svensson.
Vota pro e Suedisë shihet në qarqet e diplomacisë shqiptare si një ogur i mirë i cili do të shërbejë si një pikë kthese, ndoshta edhe për ato vënde të tjera si Holanda, Gjermania apo Britania e Madhe, të cilat kanë skepticizëm ndaj proceseve integruese të Shqipërisë./TCH/