Shuhet në moshën 75 vjeçare ikona e këngës shqiptare, Vaçe Zela

16

CD_Vaçe_ZelaNdërron jetë në moshën 75-vjeçare në Zvicër këngëtarja e madhe Vaçe Zela. Ikona e këngës shqiptare ka ndërruar jetë në Bazel rreth orës 01:20 të mëngjesit të sotëm, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të mundimshme.

Vaçe Zela lindi në Lushnje në vitin 1939. Këngët e saj në vite mbeten popullorë dhe të preferuara edhe sot nga publiku.

Artistja e Popullit dhe këngëtarja me famë të madhe, u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnje. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm.

Vaçe Zela mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo ishte një këngëtare e cila ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Komunistët” (dubluar nga Marina Grabovari).

Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh ajo ka jetuar dhe është kuruar në Zvicër.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.