Qeveria e Kosovës ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes që do bëhej me qeverinë e Shqipërisë. Në një njoftim të bërë publik nga vetë kryeministria e Kosovës, është deklaruar se, nëse mbledhja do të mbahej në ditën e përcaktuar më parë, kjo do të shkaktonte reagime, për shkak të zgjedhjeve.
Për këtë arsye duket se është kërkuar dhe shtyrja e mbledhjes për në dhjetor, por nuk është dhënë një datë e saktë.
“Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo kurrsesi nuk do të duhet të bëhet cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që data e mbledhjes së përbashkët ishte rënë dakord para caktimit të datës së zgjedhjeve”, -thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë së Kosovës.
Më tej, kërkohet që mbledhja e dy qeverive të mbahet në fillim të muajit dhjetor.
“Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”, -thuhet më tej në njoftimin për mediat.