Preçetaj, nënë e tre fëmijëve, duhet të lërë sot së bashku me fëmijët, në orën 10:30 të paradites, shtetin e Detroit, pas një urdhri të nxjerrë nga autoritetet e këtij vendi.
Lajmin për dëbim, 40-vjeçarja shqiptare e ka marrë të hënën në mëngjes, dhe ka vetëm 24 orë kohë në dispozicion që të mbledhë valixhet dhe të niset për në Shqipëri.
“Në eksperiencën time, nuk kam parë kurrë që të dëbohet një nënë me fëmijë. Asnjë nuk arrin ta besojë se kjo gjë do të ndodhë realisht”, -është shprehur avokati ligjor i shqiptares, Andrew Johnson, i cili duhet të shpëtojë në një kohë rekord klienten e tij nga dëbimi.
Ndërsa bashkëshorti i saj, me origjinë jugosllave, Pjetero (Pete) Gojcevic, ka thënë se po pret që të ndodhë ndonjë mrekulli që gruaja dhe fëmijët e tij të mos dëbohen nga Detroit-i, raporton “Detroit Free Press”.
Historia e shqiptares, u largua nga “kthetrat” e të fejuarit
40-vjeçarja shqiptare, Çile Preçetaj, ka lindur në vitin 1972 në Shqipëri. Në vitin 2000 ajo udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që t’i shpëtonte kështu abuzimit të të fejuarit të saj, nga i cili kishte frikë se mos e rrëmbente dhe e shiste për prostitucion. Pas arratisjes nga Shqipëria, Preçetaj së bashku me disa shoqe të tjera, nëpërmjet Kanadasë, hyri ilegalisht në SHBA. Menjëherë pas arritjes në “tokën e premtuar”, ajo iu dorëzua autoriteteve amerikane dhe kërkoi strehim. Gjatë kohës që ajo jetonte në SHBA në mënyrë ilegale, Preçetaj u martua me një jugosllav, i cili ishte zhvendosur në SHBA 40 vjet më parë. Ajo ka tre fëmijë dhe që të tre kanë nënshtetësi amerikane.
Pavarësisht kërkesës së saj për strehim, një gjyqtar që merrej me çështjet e emigracionit, e rrëzoi kërkesën e 40-vjeçares për strehim, duke argumentuar se asaj i mungonte besueshmëria dhe dyshohej se ajo ishte e përfshirë krime dhe prostitucion.
Preçetaj nuk e mori të drejtën e strehimit, për shkak se “femrat e reja dhe të pashme nuk bëjnë pjesë në grupin e azilkërkuesve”. Kështu në vitin 2008 gjykata e rrëzoi përfundimisht kërkesën e shqiptares për azil.
Ndërkohë 40-vjeçarja shqiptare vazhdoi të jetonte në SHBA, dhe gjatë kësaj kohe ishte e detyruar që të paraqitej tek autoritetet e Detroit një herë në muaj. Ajo e dinte që do të vinte një ditë kur duhej të largohej, por nuk e dinte se cila do të ishte ajo ditë që do të sillte dëbimin e saj nga SHBA-të dhe ndarjen nga bashkëshorti.
Të hënën Preçetaj mori urdhrin që brenda 24 orëve duhej të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sot pritet që ajo të kthehet në Shqipëri, për të jetuar me prindërit e saj të moshuar në një fshat në veri të vendit, bashkë me tre fëmijët e saj, por larg bashkëshortit.
Burri i saj, Gojcevic thotë se është i habitur për këtë vendim të qeverisë amerikane, pasi presidenti Barack Obama, ka thënë se nga SHBA-të duhet të largohen vetëm ata emigrantë, të cilët kanë histori kriminale dhe jo ata që kanë fëmijë me nënshtetësi amerikane, dhe për më tepër ata që janë të pastër dhe nuk kanë kryer asnjë vepër penale.
“Lërini fëmijët të jetojnë dhe të rriten në një vend të cilin e njohin”, -i ka bërë apel qeverisë Gojcevic.