Shpronësimet, Basha banorëve: Nuk i vendos unë çmimet

52

17LB-BASHKIAKKKKKKRreth 50 banorë  nga zona e Stacionit të Trenit në Tiranë protestuan përpara bashkisë sot për shpronësimet e banesave të tyre. Protesta u mbajt përpara nisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Mësohet se banorët nuk janë aspak dakord me shumën që do të marrin nga shpronësimet e pronave të tyre. Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha zhvilloi edhe një takim me banorët përpara godinës së bashkisë. Ai tha se çmimin nuk e vendos bashkia, por ligji i miratuar në Parlament.

Basha u justifikua përpara banorëve se bashkia nuk mund ta ndryshojë ligjin, duke pranuar se çmimet e vendosura për shpronësimet janë të paarsyeshme.

“Kemi parë se me ato çmime nuk blini dot shtëpi tjetër. Dhe bashkia i ka thënë grupit tuaj, që jemi dakord që me ndërmjetësimin e bashkisë për çdo shtëpi të prishur të gjejmë një banesë për  ju.

S’është e lehtë se nuk e bëjmë dot me fonde publike”, tha Basha. Në fund të takimit, Basha la edhe një takim me banorët për ditën e nesërme në orën 13:00, ku tha se do të presë 12 përfaqësues të banorëve.

Por banorët e kundërshtuan këtë iniciativë. Ata kërkuan që një përfaqësi e tyre të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, por Basha kundërshtoi duke thënë se çështja e tyre nuk ishte në rendin e ditës së djeshme.

Pas takimit me Bashën, banorët zhvilluan edhe një takim me kreun e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipin.

Protesta e banorëve erdhi për shkak se ata kanë pretendimepër çmimin 28 mijë lekë për metër katror të shpronësimit të tokës së tyre në dobi të projektit të Bulevardit të Ri.

Sipas tyre, çmimi është tepër i ulët dhe jo konkurrues me çmimet e sotme në treg. Që kur u miratua zgjatimi i Bulevardit të Ri u caktua edhe çmimi me vendim qeverie.