“Mendoj se mund të ketë largime. Sigurisht nga e djathta, sepse fatkeqësisht rrjedhjet gjithmonë kanë qenë nga opozita drejt pushtetit. Pushteti ka gravitet të madh. Lëvizin interesa, kështu që ka ndodhur shpesh herë. Fatkeqësisht kjo është një histori e filuar nga vetë e djathta, nga PD-ja dhe nga kjo mazhorancë që sot është në opozitë. Duke filluar nga historia e Xhuvelit e duke kaluar tek zgjedhja e Presidentit Topi, tek aleanca me z.Meta, tek transferimet e deputetëve nga e majta drejt së djathtës. Kjo është një histori fatkeqësisht e përsëritur shpesh gjatë këtyre 8 viteve, e kulmuar kjo me transferimin e deputetëve nga socialistë, në PD brenda së njëjtës legjislaturë. Ky lloj sporti, i kapërcimit të gardhit, është kthyer në një sport kombëtar. Kështu që në këtë aspekt, ky nuk është ndonjë fenomen që ne se kemi parë ndonjëherë. Ka ndodhur vazhdimi i këtij fenomeni të trishtueshëm politik, i cili mbart një ngarkesë imoraliteti të lartë. Nuk paragjykoj kërkënd, dëshirën për të ndryshuar, të drejtën e njerëzve për të revizionuar bindjet e veta, por më duket se këtu s’jemi brenda një debati politik. Këtu jemi brenda konjukturave politike, interesave, grupeve dhe personave të veçantë që i lënë politikës këtë shijen e keqe të qytetarëve që politika është diçka që mbart shumë interesa dhe pak moral, kur në fakt duhet të ishte e kundërta. Duhet të mbante shumë moral dhe pak interesa”,- deklaroi Shehu.