Ka treguar Olldashi sipas Bazes:
Kur situata perceptoi dhe u pa se ishin vrarë njerëz, u lidh me Bamir Topin. Ai e ftoi të shkonte në zyrën e tij dhe të bisedonin. Kur u kthye, ishte më i qetë.
-Si shkoi biseda, i thashë.
-Mirë, më tha. Nuk m’u duk negativ. Kur dola, më tha bëni kujdes me letrat se ka ngjarje.
Ndërkohë që po bisedonim, mori në telefon Sali Berisha. Po i thoshte diçka të rëndë lidhur me Topin dhe ngjarjet që kishin rrjedhur. Shkuam bashkë në zyrën e tij. Dukej totalisht i axhituar dhe jashtë kontrollit. U hodh në sulm kundër Bamirit. Luli nuk foli. Nuk dija në i kish treguar që ishte aty, por për ta lehtësuar situatën, shkova në fund të zyrës ku ishte telefoni fiks dhe me autoparlant të hapur fola me badigardin e Bamirit, që e kisha mik qysh kur isha Ministër i Brendshëm.
-Ku është ai, e pyeta.
-Në shpi shefo, më tha, pushon tani.
Berisha më pa i çuditur.
-Me kë po flet, tha.
-Me rojën e Bamirit, i thashë.
I ra tërbimi i improvizuar menjëherë dhe tundi kokën.
-Lere mos na ngatërro tani, tha. Ai ka bërë puçin.
Dhe vuri pak buzën në gaz.
Ishte e qartë që i duhej puçist. E kuptoi dhe Basha këtë dhe i tregoi se ishte tek Bamiri t’i bënte thirrje të ndalte puçin, por ai e paskësh kërcënuar dhe i kish thënë “kujdes me letrat”. Ishte një version emocional, krejt i ndryshëm nga ajo që unë isha dëshmitar pak më parë. Presioni i Berishës për të shpallur Topin puçist bëri të vetën. Basha modifikoi përshtypjet e tij nga takimi me Topin, dhe manovra ime për ta banalizuar situatën, po ashtu nuk funksionoi. Tani duhet të bëheshim gati për të mbrojtur grushtin e shtetit.
Unë vendosa vetë të dal në media. U thashë njerëzve të Gardës, që ishin në korridor, se makina që goditi gardhin, ishte e mbushur me tritol. Më panë pak si të çuditur dhe tundën kokën.
-Më duhet një konfirmim për këtë, u thashë, duke tentuar të tregoja ç’duhet të bënin. I sigurt se në atë moment ata do të më mbështesnin, dola në TV dhe thashë atë që thashë. Në fakt asgjë nuk kishte ndodhur. As lajm për tritol nuk kishte dalë dhe as ndonjë provë nuk ishte siguruar. Në një farë mënyre më lanë vetëm në atë përpjekje që ishte boll justifikuese për dhunën. E vetmja gjë që vendosa të bëj është të mos ua përmendja më. Edhe herë të tjera Ndrea në fakt kishte refuzuar të zbatonte urdhra të paligjshëm, por atë sepse isha i bindur se do ta bënte. Nuk e bëri dhe thellë- thellë më erdhi mirë për këtë pas ngjarjes. Bile nuk jam i sigurt nëse ka qëlluar dhe vetë.
E dyta që thashë lidhur me vrasjet, ishte për t’i dhënë zemër njerëzve. Ajo e gjitha u perceptua si një përleshje ku ne dolëm fitimtarë me viktima nëpër këmbë. Jam përpjekur gjithmonë të jem i paqartë në atë deklaratë, por perceptimi është ashtu siç thua ti, më tha, që unë kam shprehur vendosmërinë për të vrarë. Ajo që më bëri përshtypje, tha, ishte se gjatë fushatës brenda PD-së, kur e thashë këtë gjë, nuk funksionoi. Askush nuk ma përmendi një përparësi. Ngjante në fakt si një garë mes meje dhe Lulit kush ishte më radikal më 21 Janar. E ndjeva nga heshtja që më rrethonte kur e thashë këtë.
Baze shkruan se pastaj erdhi momenti i dytë i rrëfimit të tij lidhur me urdhër- arrestin për gjashtë oficerët. Ka rrëfyer Olldashi:
“…Lajmi përflitej dhe Luli erdhi në zyrën time për shkak të miqësisë që unë kisha me Ina Ramën. Ina foli me mua dhe më kërkoi që të bisedoja, të thërriste prokuroria gjashtë oficerë për t’i marrë në pyetje. Ja thashë Lulit në një klimë tërësisht të qetë, pa tensionin e një puçi të ri, dhe ishte dakord. I thashë Inës të dërgonte letrën se gjithçka ishte në rregull.
Pasi uli telefonin me ne, ajo kishte komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit. Ai kishte komunikuar direkt me Berishën dhe i kishte treguar. Berisha mori sërish Lulin dhe i tha se kryepuçistja Ina Rama kërkonte të arrestonte zinxhirin komandues të Gardës.
-Ka hyrë në funksion Plani B, i tha.
Luli ia miratoi paranojën pa guxuar t’i tregojë se kish qenë në parim dakord me atë që po bënte Ina. Kështu u përfshi dhe ajo në listën e komplotit. Pas kësaj, gjithçka e komandonte Berisha, paranojën, skenarin dhe daljen nga kriza.
Baze rrëfen një detaj edhe per pergjimet e telefonave, një çshtje e shumëdebatuar ato ditë:
“…Pasi kaloi kulmi i trazirës dhe shumë njerëz u përcollën të plagosur, unë që e ndiqja nga lart skenën, nuk isha i qartë për numrin e të vrarëve. Nuk dija kujt t’i thosha t’u bënte thirrje të tërhiqeshin. I bëra një sms Zogajt dhe Ramës ku në fakt përmendja diçka të tillë me gjysmë humor të zi. Batuta mori shkas nga një miku im, A.K., që hyri në atë moment në lokal ku rrinim dhe më pyeti ç’po ndodh.
-Asgjë, i thashë. Mbaroi, kaq ishte. Tani shko tek dera e kryeministrisë, bëj shurrën, por mos e kalo gardhin, dhe ik. Po e bërë këtë, do të ngrenë në detyrë kur të ndërrojë pushteti.
Humori i zi qarkulloi pak minuta aty rrotull dhe s’jam i sigurt nëse Olldashi e kishte këtë nga thashethemet e atyshme, nga një raportues i Agim Shehut që kishim në krah, apo nga sms. Sidoqoftë nuk ishte diçka me zarar...”