Irani nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes mbi Sirinë

15

ONU-Salle-conf[1]Irani nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes mbi Sirinë, të cilat do të zhvillohen këtë javë në Gjenevë të Zvicrës.

Një zëdhënës i OKB-së e bëri njoftimin mbrëmë vonë, pasi Irani e hodhi poshtë idenë e një qeverie kalimtare në Siri. Propozimi për krijimin e një qeverie kalimtare do të jetë një nga komponentët kryesor të diskutimeve në bisedimet e paqes. Krijimi i një qeverie të tillë ka shumë të ngjarë të përjashtojë presidentin sirian Bashar al-Assad, një aleat i madh i Iranit, transmeton Zëri i Amerikës.

Zëdhënësi i OKB-së dje tha se Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon është i pakënaqur që deklarata e fundit e Iranit nuk është në përputhje me angazhimin e mëparshëm të Teheranit për të luajtur një rol pozitiv në bisedimet mbi Sirinë. Ai tha se fillimi i bisedimeve nesër në qytetin zviceran Montro do të vazhdojë pa praninë e Iranit.

Të dielën, zoti Ban njoftoi se ai e kishte ftuar Iranin për të marrë pjesë në bisedime. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha gjithashtu se ai besonte se Irani e kishte kuptuar qëllimin e bisedimeve dhe do të luante një rol pozitiv dhe të dobishëm në to.