Ramadan Gjanaj: Në ’91 s’gjetëm Shqipërinë e ëndërruar. Ka mbetur njëlloj

126

100_9916Bruksel/Intervistë për jetën, familjen, punën dhe si e sheh vendin e origjinës dekani i Universitetit Libre International

Për të takuar Ramadan Gjanën në Bruksel nuk është e thjeshtë. Dekani shqiptar i dy prej fakulteteve të Universitetit të Lirë International në kryeqytetin e Europës, është gjatë gjithë kohës i zënë nga punët e shumta. Madje edhe të shtunën. Duhet të kalonte ora 16:00 për ta kapur atë në telefon dhe më pas të linim një takim në Schaerbeek, lagjen ku ai banon. Me një shqipe të kulluar dhe zhdërvjelltësinë e profesionit, Gjanaj u rrëfye në një intervistë të gjatë për Albaniaplus.

Kush është Ramadan Gjanaj?

Unë kam lindur në vitin 1967 dhe jam djali i pestë, apo i gjashti i fëmijëve të dy bashkëshortëve të arratisur nga fshati Bicaj i Kukësit më 1956. Kemi qenë 7 vëllezër dhe një motër, por dy vëllezër na kanë vdekur. Kam kryer studimet në Shkencat Politike për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Brukselit. Jam diplomuar në vitin 1994 dhe me pas për dy vjet kam kryer edhe një shkollë tjetër pasuniversitare. Në 2010 kam marrë doktoratën për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Temën e diplomës e kam pasur për çështjen e kufijve shqiptarë, “Kosova midis konferencave ndërkombëtar në fillim të shekullit XX”. Bashkëshorten e kam me origjinë shqiptare, nga Kosova. Ajo ka edhe nënshtetësinë saudite. Kemi dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Aktualisht menaxhoj pjesën universitare të Universitetit Libre International. Kam postin e dekanit për dy fakultete, atë të Shkencave të Menaxhimit dhe atë të Komunikimit të Bizneseve (Communication d’entreprise.red). Është një institucion arsimor i financuar nga Bashkimi Europian për arsimimin e zonës frankofone në Afrikë. Do të hapim edhe një strukturë në Kinshasa, kryeqytetin e Kongos. Rektori im është nga Burkina Faso. Ai e njeh Shqipërinë shumë mirë dhe e ka vizituar disa herë. Gjatë një konference shqip në Universitet ai ju drejtua të pranishmëve: “Unë jam shqiptar me shumë sesa disa nga juve”, dhe kishte të drejtë sepse e njeh vendin tonë shumë mirë.

Cila është lidhja juaj me Shqipërinë? Çfarë ju bën që të flisni shqip?

Në fakt kur dolën prindërit tanë nga Shqipëria, kishin shpresën se do të ktheheshin shpejtë. Ata kishin përcaktuar ditën e Shën Gjergjit, që i bie më 6 maj, si ditë rikthimi. Kështu që kthimi pritej çdo Shën Gjergj, duke bërë që kjo ditë të kthehej në ditë mërzitjeje. Kjo vazhdoi deri më 1986 kur vdiq gjyshi. Pas kësaj shpresat u shuan deri diku, pasi kishim jetuar me ëndrrën e kthimit. Gjithsesi ëndrra u realizua në vitin 1991. Në ditët e para të shembjes së komunizmit babai, nëna dhe një nga vëllezërit e mi, Sulejmani, shkuan në fshatin e origjinës, Bicaj në Kukës. Kur vajtën, panë se ata njerëz që kishim lënë atje nuk ishin si ne dhe ne jo si ata, ishim të ndryshëm. Pra, dy botë të ndryshme, kishin kaluar mbi 40 vite dhe ishim zhvilluar krejt ndryshe. Babai nuk i gjeti shokët dhe miqtë e vet të fëmijërisë dhe rinisë. Disa prej tyre kishin vdekur, disa ishin larguar në internim në Lushnjë, apo të tjerë të zhvendosur në Tiranë, Laç e Shkodër. Familja jonë shkoi edhe në varrezat e dëshmorëve ku prehet gjyshi nga nëna, Nuhi Lala, i pushkatuar nga partizanët e Brigadës së Pestë Sulmuese, në fshatin Buzëmadhe në vitin 1944. Historiani Uran Butka ka nxjerrë dokumente se ka qenë urdhër i Mehmet Shehut për të ekzekutuar 22 vetë, pasi ishte gjetur i vrarë afër fshatit Hisen Cino, nip i Shefqet Peçit. Ndërkohë, nëna ime, e cila ka qenë 8 vjeç e gjysmë atëherë, tregon se ishte festa e Bajramit dhe se partizanët kanë darkuar nëpër shtëpitë e fshatarëve, ndërsa të nesërmen i vranë. Kur janë zgjuar nga gjumi në mëngjes fshatarët kanë vënë re se shulet e armëve u ishin hequr, ndërsa 22 burrat që u kapën u pushkatuan. E vërteta është se fshati Topojan ka zhvilluar luftë me Hisenin, ndoshta pasi e vranë, kufomën e tij e nxorën në bjeshkët e Buzëmadhes. Kjo, puna e vrasjes së tij nga Topojani, nuk dihet mirë, pasi, nuk ekzistojnë prova dhe dokumente për këtë, por është e qartë se vrasja e tij u përdor si pretekst i mirë nga partizanët, për ekzekutimet në Buzëmadhe. Ndërkohë si provë, u mor edhe fakti që një djalë i ri nga Buzëmadhja, kishte një shenjë nxirjeje poshtë syrit. Në fakt ai e kishte që nga lindja atë, por partizanët pretenduan se i ishte shkaktuar nga të qëlluarit me armë gjatë vrasjes së Hisenit. Historiani Butka pretendon se më tepër se kaq ishte një urdhër i Mehmet Shehut, për të shkelur në zonën që kontrollohej nga Muharrem Bajraktari.

Kur është larguar familja juaj nga Shqipëria?

Më 1956 u arratisën gjyshi im së bashku me gjyshen dhe dy djemtë dhe nuset. Nga fshati shkuan te stani në bjeshkë, ku i ndihmoi një komunist, i cili ishte i afërmi ynë dhe njëkohësisht mik i Kadri Hazbiut. Ai i drejtoi që të kalonin kufirin pa hasur në patrullën e rojave. Familja jonë kaloi tre vjet e gjysmë në Kosovë, në një fshat të Ferizaj, derisa u kapën nga serbët dhe u dërguan në një kamp refugjatësh në Gerova në Kroaci. Fati solli që pas dy vjetësh të tjerë aty, më 1962, të mbërrinin punonjësit e KARITAS-it Katolik, të cilët kishin shkuar për emigrantët e arratisur nga Hungaria, dhe kur kishin gjetur edhe shqiptarët aty, i morën të gjithë me vete dhe i sollën në Belgjikë. Është fakt se shumica e shqiptarëve të mërgatës së vjetër në Belgjikë, vijnë nga Gerova.

ramadan gjanaKur e keni vizituar për herë të parë Shqipërinë?

Shqipërinë e vizitova për herë të parë më 1993. Ishte moment emocionues, isha student akoma dhe këtu në Belgjikë nuk e njihte askush Shqipërinë, për më tepër nuk e dinte kush që gjendej në Europë. Kur na pyesnin, ne u thoshim që jemi albane (albanian-frengjisht,red), ndërsa njerëzit na ngatërronin me Libanin. Shpesh kjo merrej edhe si shaka, derisa me 1990-‘91 shqiptarët u bënë të njohur anë e mbanë botës pasi hynë nëpër ambasada apo shkuan me anije në Itali.

Në ato 26 vite si ka qenë Shqipëria në mendjen tuaj? Çfarë prisnit dhe çfarë gjetët atje?

E mendonim një vend shumë të bukur dhe të mirë, ndërsa shqiptarët që vuanin në një burg të madh dhe në izolim total. Qanim hallin e vendit tonë të origjinës pasi e donim me shpirt dhe zemër, ndërsa ishte e ndaluar për ne. Me thënë të drejtën atëherë shqiptarët na u dukën shumë mikpritës. Tani është futur pak më tepër individualizmi pasi është logjike se njerëzit kanë punët dhe hallet e veta. Shkoj shpesh në Shqipëri pasi kam njërin nga vëllezërit që banon aty, Sulejmanin, të cilin e vizitoj shumë herë. Sulejmani ka qenë shef për shtypin e huaj këtu në Bruksel, por la gjithçka dhe u vendos në Tiranë për të dhënë kontributin e vet në Shqipëri.

Kur ishte vizita e fundit në Shqipëri?

Pak kohë më parë, tjetra do jetë nesër. (Të dielën.red).

Ishit në Shqipëri për 100 vjetorin e Pavarësisë?

Po isha në Tiranë.

Sipas jush ka diçka që duhet ndryshuar në Shqipëri?

Duhen reforma të thella në arsim, shëndetësi dhe çdo sektor tjetër që ka lidhje me shërbimet publike. Që gjërat të funksionojnë mirë, gjithçka duhet të jetë e bazuar në drejtësi. Duhen reforma të thella, në mënyrë që t’i jepet drejtësia si atij qytetarit pa përkrahje dhe atij që është pjesë e nomenklaturës. Shkurt, duhet që për çdo kënd të zbatohet ligji me drejtësi. Po kështu duhet që edhe drejtësia të mos zvarritet. Ajo që nuk më pëlqen aspak është zbatimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Kanuni, ishte një ligj i shkruar, dhe në shkencat politike sqarohet se është më mirë një ligj i keq sesa pa të fare. Mua personalisht nuk më pëlqen Kanuni i zbatuar. Në të shpjegohet qartë se gjaku merret te familja e vrasësit dhe jo tek gjithë fisi si sot. Kanuni thotë se nëse vrasësin e sheh me petka gruaje dhe i shoqëruar me fëmijë nuk të jepet e drejtë ta vrasësh. Por a ndodh sot kjo!? Kjo tregon mungesë totale të shtetit.

Ndoshta kjo vjen nga mosinformimi i njerëzve rreth Kanunit?

Duhet një studim psikologjik që ta sqarojë saktë këtë. Mendoj se diçka është edhe ndikim nga komunizmi, pasi atëherë praktikohej penalizmi i gjithë familjes së dikujt që kryente një krim. Ndërkohë në kohët e sotme vihet re se vrasësit largohen jashtë kufijve dhe familja e viktimës hakmerret ku të mundet, duke i bërë në një farë mënyre presion vrasësit. Nuk mund të pranoj individualisht, që të jetë normale mbyllja e një fisi të tërë pasi dikush nga ata ka vrarë dikë në një zonë tjetër. Kjo tregon mungesën e shtetit.

Problemi i gjakmarrjes është bërë shkak që shumë shqiptarë të kërkojnë azil, edhe këtu në Belgjikë, si e gjykoni këtë?

Me thënë të drejtën kam punuar për 5 vite në Zyrën për të Huajit dhe e them me kompetencë që azil për gjakmarrje nuk është dhënë. Thjesht azilantët janë marrë në mbrojtje provizore dhe gjatë kësaj kohe atyre u është dhënë e drejta të bëjnë rregullarizim dokumentacioni.

Të huajt flasin shpesh për probleme të Shqipërisë. Gjithë defektet që nxirren në pah, ju bëjnë të ndiheni keq?

Po. Fatkeqësisht të gjitha raportet e BE flasin për politesë e kortezi për përparime, por vënë në dukje për 20 vjet të njëjtat probleme: korrupsionin; kontrollin e kufijve; kanunet; krimet etj. Kur flet sot për Shqipërinë, të gjithë personifikojnë mafian dhe krimin e organizuar, kjo na brengos.

Si u përgjigjeni këtyre?

U them: Vizitoni Shqipërinë dhe shiheni vetë që Tirana është më e qetë se Brukseli. Në Shqipëri mediat shkruajnë gjithçka ndodh, ndërsa këtu gazetarët nuk i pasqyrojnë krimet pasi nuk duan që të përhapin ndjenjën e pasigurisë. Është fakt se në Shqipëri, përderisa ligji nuk zbatohet me drejtësi, qytetari që njeh dikë lart, nuk i ndalon policit në rrugë. Këtu nuk mund të krahasohemi dot me Belgjikën.

Shpeshherë e më tepër flitet për një Shqipëri etnike. Cili është mendimi juaj?

Në kushtet e sotme nuk bëhet. Mbetet veç një ëndërr dhe utopi. Sot ekziston karta e Helsinkit, e nënshkruar edhe nga Shqipëria më 1972. Aty është përcaktuar saktë për mosndryshimin e kufijve. Nëse do të ndryshohet diçka, Shqipërisë i duhet të tërhiqet nga kjo kartë ndërkombëtare, aq më tepër tani kur , por tani kur jemi edhe anëtarë të NATO. Ekzistojnë grupe që e kërkojnë Shqipërinë etnike, dhe kjo është gjë e mirë, por shteti zyrtar nuk ka të drejtë ligjore ta kërkojë.

Diçka për Maqedoninë, racizmin e shtuar tepër së fundmi ndaj shqiptarëve atje?

Përderisa partitë politike shqiptare në Maqedoni bëjnë pazare politike për karriget e veta, ajo do të ndodhë. Është padrejtësi por nuk kemi ç’të bëjmë. Faj ka edhe Tirana zyrtare që nuk u bën presion si maqedonasve, ashtu edhe politikës shqiptare në Maqedoni. Situata sipas meje mund të rregullohet vetëm në një rrugë. Duhet të ketë një platformë kombëtare të shqiptarëve, të cilët t’i bëjnë me dije maqedonasve se nëse nuk plotësohen të gjitha pikat e marrëveshjeve të mëparshme duhet të tërhiqen nga pjesëmarrja në qeverisje.

Më 23 qershor në Shqipëri ka zgjedhje parlamentare, ndërsa flitet çdo ditë për agravim situate dhe destabilitet pas votimeve. Sipas jush, si do të jetë 23 qershori dhe më pas?

Nëse nuk do të ketë probleme, kjo do të jetë hera e parë që në Shqipëri do të ndodhë një mrekulli. Mirëpo duke u bazuar në të kaluarën, them se neve kemi një periudhë pasigurie ku ka shumë pikëpyetje. Unë shpresoj dhe uroj që çdo ndryshim në Shqipëri do të bëhet në mënyrë të qetë dhe të qytetëruar. Këtu në Belgjikë ne mbetëm dy vjet pa qeveri dhe nuk ndodhi asgjë destabilizuese. Le të bëhet njëherë edhe në Shqipëri kështu.

Çfarë mund të përfitojë një turist në Shqipëri?

Sot turizmi në Shqipëri nuk të jep shumë mundësi përfitimi veç rrezeve të diellit dhe plazhit. Duhen politika shtetërore që nga turizmi të përfitojnë edhe vendasit edhe vizitorët.

Cila zonë e Shqipërisë ju pëlqen më shumë?

Padyshim jugu. Më pëlqen shumë Dhërmiu në Vlorë, Borshi në Sarandë dhe Ksamili. Jugu i Shqipërisë është më ndryshe, por edhe veriu është i bukur. Në përgjithësi në Shqipëri mungojnë investimet publike në zonat turistike.

Mendoni që mbetja e trurit jashtë, ndikon në Shqipëri?

Është një tragjedi e njohur. Ne me dashje apo pa dashje kemi mbetur jashtë pasi kemi lindur këtej, por ka mjaft studentë shqiptarë që urrejnë të kthehen pas studimeve. Normalisht, shteti i ka fajet kryesore për këtë, pasi derisa flitet për diasporën, (për mua është mërgatë), shteti shqiptar e ka për detyrë riatdhesimin, ndaj duhet të bëjë çka është e mundur për kthimin e diasporës në vend. Po kështu, ka ndikim qeveritar për mbetjen e studentëve jashtë, pasi në Shqipëri nuk zbatohen kriteret e Bolonjës për punësimin e tyre.

Juve personalisht, nëse do të kishit një thirrje nga një universitet shqiptar apo politika, do të ktheheshit për të dhënë kontributin tuaj?

Hipoteza pranohet vetëm në aspektin mësimor dhe vetëm për Universitetin e Tiranës. Jashtë tij, jo. Kjo për faktin se ai institucion është potencial.

Kur djali 10 vjeç të pyet për Shqipërinë si ia shpjegoni?

I rikujtoj gjithmonë vlerat tona që prindërit na i kanë trashëguar. I them që ne shqiptarët jemi atdhedashës, të ndershëm, të besës, bujarë dhe mikpritës.

Çfarë ju ka mbetur nga tradita shqiptare?

Çdo të premte takohemi familjarisht. Adetet i bëjmë më shumë neve sesa shqiptarët e rinj. Për shembull në ditën e Shëngjergjit, i zgjojmë fëmijët me ujë dhe sapo hapin sytë, u thyejmë në kokë një vezë të zierë. Për ditë vere gatuajmë një fli. 28 nëntorin e festojmë gjithmonë.