Rama takon Erdogan: Turqia do të ndihmojë ekonomikisht Shqipërinë

57

971078_10151470569486523_1439601026_nLideri opozitar Rama u takua me Kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan. Gjatë takimit Rama dhe  Erdogan biseduan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e institucional, intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Turqisë dhe Shqipërisë, si dhe për miqësinë tradicionale mes popullit shqiptar dhe turk që qëndron në themele të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryesocialisti Rama e njohu Kryeministrin Erdogan me programin për Rilindjen dhe vendosmërinë për të jetësuar në Shqipëri një proces transformimi dhe modernizimi të ekonomisë, qeverisë dhe shërbimeve publike, duke u nënvizuar faktin se për herë të parë në programin për Rilindjen, Turqia konsiderohet, krahas Italisë dhe Greqisë, si një partner strategjik.

Rama shprehu, po ashtu, admirimin e tij për arritjet e Kryeministrit Erdogan në luftën kundër korrupsionit dhe papunësisë, në ndaljen e rrënimit në arsim e shëndetësi dhe në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë turke. Ai i kërkoi Kryeministrit turk ndihmë të mëtejshme për të çuar përpara axhendën modernizuese për Shqipërinë. Zoti Erdogan shprehu kënaqësinë për vizitën dhe respektin e tij të madh për Shqipërinë e shqiptarët. Ai konfirmoi, po ashtu, edhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar Shqipërinë për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe për të luftuar varfërinë e papunësinë.

Pas takimit, Edi Rama shkroi në faqen e tij në Twitter se kujtimi më i bukur nga kjo vizitë ishte libri që i dhuroi kryeministri Erdogan me dedikimin: “Të dashurit Edi Rama me urimet e mija për sukses…” T. Erdogan!