Kryesocialisti Rama e njohu Kryeministrin Erdogan me programin për Rilindjen dhe vendosmërinë për të jetësuar në Shqipëri një proces transformimi dhe modernizimi të ekonomisë, qeverisë dhe shërbimeve publike, duke u nënvizuar faktin se për herë të parë në programin për Rilindjen, Turqia konsiderohet, krahas Italisë dhe Greqisë, si një partner strategjik.
Rama shprehu, po ashtu, admirimin e tij për arritjet e Kryeministrit Erdogan në luftën kundër korrupsionit dhe papunësisë, në ndaljen e rrënimit në arsim e shëndetësi dhe në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë turke. Ai i kërkoi Kryeministrit turk ndihmë të mëtejshme për të çuar përpara axhendën modernizuese për Shqipërinë. Zoti Erdogan shprehu kënaqësinë për vizitën dhe respektin e tij të madh për Shqipërinë e shqiptarët. Ai konfirmoi, po ashtu, edhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar Shqipërinë për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe për të luftuar varfërinë e papunësinë.
Pas takimit, Edi Rama shkroi në faqen e tij në Twitter se kujtimi më i bukur nga kjo vizitë ishte libri që i dhuroi kryeministri Erdogan me dedikimin: “Të dashurit Edi Rama me urimet e mija për sukses…” T. Erdogan!