Rama në Vlorë: Prej këtu nis rruga e Rilindjes

66

rama-ne-vloreKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u prezantua sot zyrtarisht si kandidat për deputet në Vlorë nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, gjatë ceremonisë së organizuar në kuadër të çeljes së sezonit turistik.

Në fjalën e tij, kryetari i PS-së renditi premtimet për Vlorën, ndërsa akuzoi qeverinë se ka izoluar “kryeqytetin e pavarësisë” dhe ka penguar zhvillimin e saj. Kryesocialisti premtoi se qeveria e tij do të bëjë për Vlorën në katër vitet që vijnë “aq sa nuk është bërë për 20 vite me radhë.

“Sot është dita për fushatën e bashkisë së Vlorës për sezonin turistik. Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë, por të gjithë e dinë se do kishte ndryshuar shumë më tepër nëse në Tiranë do kishte një qeveri që ta shihte me sytë e zemrës, të kishte sy për të parë qoftë historinë e lavdishme, qoftë të ardhmen e vendit tonë që nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Vlorës. Ka pasur një qeveri për që vite me radhë e ka lënë të izoluar, pa një rrugë që ta lidhë me Tiranën dhe pjesën tjetër të vendit dhe Kosovën, se edhe Kosova e sheh Vlorën si gjithë Shqipëria, si kryeqytetin e shtetit shqiptar, të pavarësisë, të historisë. Pas 23 qershorit, Vlora do të ketë në Tiranë qeverinë që i duhet për të qenë në lartësinë e gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, për Vlorën e Qemalit, të qytetarëve evropianë. Berisha ka bërë çmos për të penguar Vlorën të bëjë përpara. Ka penguar projektet e Bashkisë, ka bërë çmos që Vlora të mbetet e izoluar. Ne do ta heqim izolimin nga Vlora. Ne kemi qëllim ndërtimin e infrastrukturës me qëllim bashkimin e këtij qyteti me të gjithë qytetet e Shqipërisë. Ne do të bëjmë me urgjencë një plan urbanistik për Vlorën, do të rindërtojmë Sheshin e Pavarësisë dhe do të realizojmë një sërë projektesh.”- u shpreh Rama.

Sipas Ramës, “PS-ja do ta nisë nga Vlora rrugën drejt rilindjes shqiptare. Pas 23 qershorit Vlora do fillojë të vrapojë drejt realizimit të ëndrrave dhe shpresave që deri më sot i janë bërë të pamundura. Asgjë nuk është e pamundur tani që jemi bashkë.”

Ndërkohë në fjalën e tij kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka theksuar se dyert e këtij qyteti mbeten të hapura për të gjithë turistët, vendas e të huaj. Në aktivitet mori pjesë edhe kreu i prezencës së OSBE-së, në vendin tonë, ambasadori Eugen Ëollfarth.