Rama: Ky buxhet do të garantojë rifillimin e rrugës ekonomike të vendit

56

rama parlamentGjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend, kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur se, sot njerëzve u duhet një qeveri që punon ditë natë, për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet, por për popullin.

“Njerëzve u duhet një shumicë parlamentare, që nuk e siguron mbijetesën duke kalëruar në kurrizin e tyre me borxhet e marra në emër të tyre, por u duhet një opozitë parlamentare që nuk e le bosh vendin në llogoren e mes gënjeshtra dhe fyerjeve. U duhet sot shqiptarëve një qeveri që nuk mendon se si do zgjidhet përsëri, por që punon ditë natë për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet por për popullin. Ne nuk jemi rizgjedhur për t’u rizgjedhur me çdo çmim, por për të zgjidhur këmbët e Shqipërisë nga borxhet, injoranca, korrupsioni ti japim mundësinë këtij vendi të qeveriset si shtet”.

Rama theksoi se ky buxhet është më i madh se buxheti i vitit të kaluar për të garantuar rifillimin e rrugës ekonomike të vendit dhe se nuk është një buxhet elektoral investimesh.

“Ky nuk është një buxhet elektoral investimesh  për të prerë shirita e për të thurur rrugë, rrugë, duke e zhytur vendin në borxhe e duke e katandisur qeverinë në një  “Sude Pazar”, por për shlyerjen e borxheve, është më i madh se buxheti elektoral i vitit të kaluar në investime direkte e indirekte në ekonomi duke garantuar garantojë rifillimin e rrugës ekonomike të vendit. Nuk është sa për të hedhur lumin e zgjedhjeve të ardhshme, por për të kapërcyer hendekun e madh që qeveria e ikur hapi mes vendit dhe të ardhmes. Çdo bashki e komunë do të ketë më shumë para nga buxheti se sa ku vit, arsimi e shëndetësia po ashtu, njerëzit  në nevojë për të cilët do të ketë më shumë para se ky vit, por nuk do të ketë më  mospagesa ndaj invalidëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike që do të marrin çdo muaj lekët që u takojnë”, tha Rama.