“Kemi kaluar edhe orë të vështira”, tha Rama duke folur për ambasadorin amerikanë në Tiranë, Aleksandër Arvizu dhe duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit 2011-të.
Orët e vështira Rama-Arvizu
“Në ditët e fundit të mandatit të ambasadorit Arvizu në vendin tonë gjej mundësinë ta përshëndes posaçërisht me respekt dhe më shumë mirënjohje si qytetar dhe tashmë si Kryeministër i vendit. Dua ta falënderoj për gjithçka bëri me ndershmëri intelektuale përveçse me përkushtim miqësor dhe profesionalizëm për Shqipërinë dhe shqiptarët që nga dita e parë e mandatit të tij. Por, dua ta falënderoj edhe jo vetëm për shumë ditët e mira që kemi kaluar bashkë por edhe për orët e vështira mes nesh, ku nuk mi ka fshehur mendimet e tij të ndryshme nga të mijat. Jam i bindur se në orë të atilla miqësitë e vërteta marrin formën e qëndrueshme për gjithë jetën”, tha Rama.
“Kam pas lexuar dikur në kujtimet e një diplomati në fillim të viteve 90’, gëzimin e tij kur shpëtoi për pak vetveten prej së rënë në një nga ato netët e dimrit pa drita në gropën e lënë pas nga shtatorja e rrëzuar e Stalinit këtu në kryeqytet. Ai shkruante se përveç thumbave të kolegëve, ajo rënie në gropën e Stalinit do t’i kishte kushtuar në gazetat vendase dhe një shkrim me titullin: Diplomati i huaj në kërkim të së kaluarës në vendin e shqiponjave.
Me siguri gjithkush që ka kaluar këtyre anëve ka anekdotën e vet për t’u mbajtur mend. Jam i bindur se edhe ju keni anekdotën tuaj për t’u mbajtur mend edhe pse shtatorja e Stalinit duket sikur nuk ka ekzistuar kurrë buzë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por me siguri gjithkush nga ju është edhe dëshmitari më i besueshëm që Shqipëria është një vend që vlen jo vetëm të vizitohet por edhe të jetohet.”