Rama: Çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria?

73

Kryeministri Edi Rama po flet në Kuvend për dekretin e Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Rama: Fatkeqësisht dhe jo rastësisht ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt brutal, transgresiv, të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm të Ilir Metës. E pyes shpesh veten: Çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria? kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere se këtij njeriu, të cilin pa mbushur ende 50 vjeç e ka bërë si askënd tjetër në histori edhe kryeministër, edhe kryetar Kuvendi dhe President të Republikës.

Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur përçarjet, hiletë dhe skandalet dhe i është dhënë kaq e kaq herë mundësia të rilindë i penduar, i burrëruar, i kthjelluar. Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyesë veten çfarë mund të bëjë që t’ja laj sadopak Shqipërisë detin me borxhe që i kam, që tu laj sadopak shqiptarëve padallim lumin me borxhe që i kam, që tu lajë sadopak socialistëve dhe zgjedhësve të mi borxhet e të gjitha rasteve kur më kanë mbëshetur në përpjekjet e mia, më kanë toleruar zararet dhe rrëshqitjet e mia.Janë pyetje retorike. Historia e shtetit shqiptar nuk e gjen një të dytë politikan me të cilin Shqipëria të ketë qenë kaq zemergjerë. Këto pyetje na çojnë edhe te përgjigjet e rreshqitjes më të fundit të Ilir Metës.

Iliri është mësuar si s’ka më keq ta tundojë Zotin e tij, ta përqeshë fatin e tij, ta shkelmojë të mirën e tij duke u bërë me vend e pa vend protagonist ku Metës asnjëherë nuk i mjafton roli që ka, vendi ku ndodhet, maja ku ngjitet. Jo President por Mbret të gjithë shqiptarëve po ta shpallin shqiptarët, jo vetëm Shqipërisë por tërë trojeve dhe viseve shqiptare, prapësepraë Ilir Meta nuk do të ndihej mirë, nuk do qëndronte drejt, nuk do të ndalej së tunduari fatin e vet.