Qeveria e re, ja ç’thotë Kushtetuta

48

rama ministratQeveria socialiste, e drejtuar nga Edi Rama, pret të marrë miratimin nga Kuvendi i ri, që do të konstitutohet sot, më 9 shtator 2013.

Sipas Kushtetutës (neni 96), Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës së re, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Kryeministri i ri, që nis negociatat me partitë e koalicionet, zgjedh anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar për të siguruar një maxhorancë të sigurtë.

Kryetari i ri i qeverisë, i emëruar sipas Kushtetutës, i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përbërja e qeverisë votohet e plotë dhe jo e ndarë. Pra, si ministrat, ashtu edhe kryeministri, do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen.

Afatet e propozimit, emërimit dhe votimit të ministrave përcaktohen në nenin 98 të Kushtetutës, sipas së cilës, “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.
Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

Qeveria e re socialiste qe pret të nisë nga ushtrimi i detyrës, nen drejtimin e kryeministrit te ardhshëm, Edi Rama, ka zhvilluar deri tani dy takime informale të kabinetit qeveritar, në Vlorë e Shkodër, ku është diskutuar programi qeverisës, që do t’i paraqitet parlamentit.
Gjatë prezantimit të emrave të ministrave të rinj, një muaj më parë, Rama tha se ekipi qeveritar në 90% të tij përbëhet nga njerëz që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, ndërsa përfshirja e grave në qeveri është më e larta në numër në historinë e vendit (6 gra).

Kabineti i z. Rama do të ketë 21 anëtarë, ku Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet me 5 ministra të cilët do të drejtojnë ministritë e Integrimit, të Drejtësisë, Transportet dhe Infrastrukturën, Bujqësinë dhe Mjedisin. Ndërsa socialistët kanë marrë përsipër të drejtojnë ministrinë e Jashtme, ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, të Shëndetësisë, Arsimit, etj.

Në qeverinë e tij Edi Rama ka përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, siç është rasti i përkthyeses dhe publicistes, Mirela Kumbaro, që mban postin e ministres së Kulturës.