Juventus i vendosur, do Januzajn

51

januzajnAdnan Januzaj mbetet në qendër të merkatos. Për talentin shqiptar të Mançester Junajtid, Juventus është skuadra që interesohet më shumë. Kampionët e Italisë nuk mjaftohen me Pogba, pasi kërkojnë t’i rrëmbejnë Junajtid një tjetër talent. Bardhezinjtë synojnë të shkëpusin nga “Old Trafford” 18-vjeçarin shqiptar me pasaportë belge, Adnan Januzaj, i cili ka një kontratë edhe për dy sezonet e ardhshme me skuadrën ishullore. Por nëse për transferimin e Pogbasë u pagua vetëm 1.2 milionë euro, çështja Januzaj mbetet më e komplikuar, pasi fillimisht klubi torinez duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me trajnerin David Mojes, i cili ka mbetur i mahnitur nga talenti i lojtarit me origjinë kosovare. Një tjetër skuadër që kërkon të afrojë sulmuesin shqiptar është edhe Blackburni, që ndryshe nga Juventusi, synon ta aktivizojë 18-vjeçarin në Championship në formë huazimi, pasi Januzaj nuk ka ende hapësirat e nevojshme te “Djajtë e kuq”. Gjatë këtij sezoni, Januzaj nuk ka arritur ende të debutojë me grupin e drejtuar nga David Mojes në kampionat, ka luajtur vetëm 10 minuta në Superkupë.
Shqipëria tashmë e ka shprehur dëshirën ta ketë në gjirin e kombëtares, por Belgjika kohët e fundit po bën lëvizjet e saj. Në lojë për të marrë shërbimet e Januzajt ka hyrë edhe Turqia. Kë do të zgjedhë Adnan Januzaj, kjo mbetet për t’u parë…