“Sot, në Ditën e Europës është më e qartë se kurrë se çfarë përmasash dramatike ka marrë dështimi i Sali Berishës dhe PD në ndërtimin e Shqipërisë Europiane. 3 shanse të humbura në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim, kurs përplasje me perëndimin dhe posaçërisht partnerin strategjik SHBA-të, raporte gjithnjë e më kritike për situatën që mbizotëron sot në Shqipëri, dhe një shqetësim në rritje për drejtimin ku po e çon vendin Sali Berisha, ky është bilanci i situatës së sotme. Është e papranueshme që plot 22 vjet pas rënies së komunizmit Shqipëria vazhdon të jetë regjim hibrid, më i ngjashëm me Venezuelën dhe Azerbajxhanin sesa me vendet e rajonit apo Europën demokratike ku duam të anëtarësohemi’’,- theksoi Bushati.
Bushati denoncoi gjithashtu, tentativat e Berishës për të deformuar procesin zgjedhor.
“Është një e vërtetë e thjeshtë dhe e dukshme: Sali Berisha ka dështuar me procesin e ndërtimit të një Shqipërie Europiane, demokratike e të drejtë. Tentativa e tij flagrante për të deformuar sërish procesin zgjedhor, kokëfortësia me të cilën po u përgjigjet paralajmërimeve gjithnjë e më serioze që po vijnë nga partnerët ndërkombëtarë, për koston që kjo do të kishte për vendin, janë prova më e qartë se Sali Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij”,- tha Bushati
PS siguroi se, pas 23 Qershorit projekti për Rilindjen do të aplikohet në të tëra fushat respektive, duke e vënë theksin te mosndëshkueshmëria politike, e cila është kthyer në një sistem.
“Pas 23 Qershorit procesi i ndërtimit të Shqipërisë Europiane do të jetë përparësia e veprimit politik e shoqëror e qeverisë së re. Ky nuk është një slogan, por një projekt i mirëfilltë politik e gjeostrategjik që përbën thelbin e Programit për një Rilindje Shqiptare. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga zgjedhjet e lira e të ndershme dhe forcimi i institucioneve demokratike të qëndrueshme në shërbim të qytetarëve e jo pushtetit të radhës. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga çlirimi i sistemit të drejtësisë nga korrupsioni e politizimi që e kanë kthyer mosndëshkueshmërinë në sistem. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga çlirimi i shërbimit diplomatik nga nepotizmi e politizimi që e kanë kthyer shërbimin diplomatik në celulë anti-opozitë. Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kalojë nga ndërtimi i një qeverisjeje transparente dhe një administrate publike të ndërtuar jo mbi bazat e militantizmit e nepotizmit, por mbi bazën e profesionalizmit;
Ndërtimi i Shqipërisë Europiane do të kaloje nga transformimi i sistemit arsimor nga një sistem i dështuar që sot prodhon analfabetë funksionalë, në një sistem arsimor që u krijon të rinjve mundësinë të konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre në tregun Europian të punës; nga një zhvillim ekonomik që prodhon punësim e mirëqenie dhe jo thjesht pasuri për një grusht njerëzish në pushtet; nga një politikë që mbështet drejtësinë dhe kohezionin social e jo rritjen e pabarazisë; nga një politikë e jashtme që synon bashkëpunimin dhe stabilitetin e jo shpërthimet primitive të nacionalizmit për përfitime të ngushta politike’’,- përfundoi deklaratën në emër të PS-së Bushati. /al.bl/