PS denoncon spektaklin e ingaurimeve të përsëritura të Kryeministrit

54

harito (1)Partia Socialiste, nëpërmjet anëtares së grupit të punës për programin Milena Harito, ka bërë një deklaratë për mediat ku ka denoncuar dështimet e Kryeministrit Berisha, në lidhje me investimet dhe spektaklin qesharak të riinagurimeve të përditshme dhe të ripërsëritura.

’’Sot, nën moton “Gënjeshtra të vjetra-Zgjedhje të reja”, po riciklon çdo premtim të pambajtur në 8 vite dhe po përdor paturpësisht çështjen e investimeve publike për qëllime elektorale, a thua se paratë e taksave tona na i dhuron kryeministri. Sali Berisha dështoi me shkollën.Jo vetëm që infrastruktura në arsim mbetet shpesh herë në gjendje të mjeruar, por sot shqiptarët janë edhe dëshmitarë të politizimit rrënjësor të shkollave. Arsimtarë dhe pedagogë, nxënës dhe studentë po përdoren dhunshëm si dekor elektoral. Shqiptarëve u duhet të jenë dëshmitarë të spektaklit qesharak të përurimeve të përsëritura e te ripërsëritura në shkollat shqiptare. Sali Berisha premtoi rritjen e investimeve publike në infrastrukturë, shtimin dhe përmirësimin e saj sipas standardeve europiane. Ndërkohë shqiptarë janë dëshmitarë të faktit se dhe ato pak rrugë që janë shtruar në Shqipëri, përveçse rezultojnë të jenë pa asnjë standard europian të sigurisë, janë përzgjedhur dhe shtruar vetëm për fushata zgjedhore e vetëm për qëllime elektorale, duke krijuar borxhe të reja ndaj bizneseve. 

Në kushtet e krizës kur e ka mbytur shtetin me borxh ndaj bizneseve, Sali Berishës nuk i mbetet gjë tjetër veç spektaklit sa qesharak po aq dhe grotesk të inaugurimit të të njëjtës rrugë për të pestën herë me radhë.

Sali Berisha premtoi në 2009 se në 2 vitet e para të mandatit të dytë, pra në vitin 2011, do të përfundoheshin të gjitha impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, kanalizimet dhe landfillet për mbetjet e ngurta, në të gjithë zonën bregdetare të vendit. Dhe ky premtim i ricikluar nga premtimet e pambajtura të 2005, nuk është mbajtur akoma dhe sot. Pas 8 vitesh e vetëm në prag të fushatës elektorale Sali Berisha ka përuruar vetëm 2 impiante nga 6 të premtuara. Ky përdorim antiligjor i fondeve publike për fushate elektorale te PD do të rëndojë dhe më xhepat e çdo qytetari shqiptar, të cilët në fund të kësaj fushate do të zgjohen me një barrë të shtuar financiare si rrjedhojë e borxheve në të cilat qeveria hyn për të mundësuar inaugurimet elektorale të saj.Pas 23 qershorit, qeveria e re me kryeministër Edi Ramën do të nxjerrë përfundimisht investimet publike nga pengmarrja e logjikës desktruktive të Sali Berishës: asaj të thellimit të borxhit publik në dëm të ekonomisë shqiptare e për arsye elektorale. 

Ne do të realizojmë procese transparente në këto investime, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Ne do të ndërtojmë një shtet që shpenzon paratë me efiçiencë dhe efektivitet dhe do të sigurojmë që borxhi publik të jetë në parametra të kontrollueshëm për të mos ia lënë barrë fëmijëve tanë’’,- përfundon deklarata e PS.