PS denoncon në Prokurorinë e Përgjithshme, abuzimet penale të fushatës

54

Berisha-me-nxenes-shkolle-320x205Partia Socialiste ka denoncuar në Prokurorinë e Përgjithshme veprat penale të konstatuara publikisht nga opinioni publik dhe të bëra publike vazhdimisht nga emisioni investigativ Fiks Fare. Megjithëse detyra ligjore e Prokurorisë së Përgjithshme, është të fillojë procedimet penale me të vërejtur abuzimet e bëra publike, pa qenë nevoja e ndonjë denoncimi në nivel politik, ajo nuk ka ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim. Partia Socialiste, ka bërë denoncim mbi veprat penale, që lidhen me presionet individuale, presionet familjare për devijimin e votës, detyrimi për të marrë pjesë në mitingjet e partisë demokratike, të studentëve të sistemit parauniversitar, nëpunësve të administratës publike, si edhe dhënie dhe marrje premtimi, për blerjen e votës.

Edhe dje, emisioni Fiks Fare denoncoi sërish abuzimin me fëmijët e fillores, të cilët ishin të detyruar të linin mësimin për t’iu bashkëngjitur mitingut të Kryeministrit Berisha. Fëmijët e pyetur në kamera dukeshin qartë, se ishin të instruktuar nga mësuesit që të komunikonin në një goje fjalët ‘është pushim sot’ dhe ‘nuk po shkojmë te Saliut’ ndërkohë që fëmijët e tjerë, që kapeshin në befasi nga gazetarja e Fiks Fare, tregonin se mësuesja i kishte thënë se ‘do shkojmë në mitingun e Saliut’. Fiks Fare denoncoi me pamje filmike edhe se, si vota e maturantëve po blihej në shkëmbim të një note të mirë në provimet e fundvitit. Pritet reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme e cila duket qartë, se ka munguar haptazi në kryerjen e funksioneve të saj përballjeve abuzimeve penale në këtë fushatë zgjedhore.

Më poshtë do të gjeni denoncimin e plotë të depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, nga Partia Socialiste: 

 

Partia Socialiste e Shqipërisë

Tiranë   qershor 2013

 

Lënda: Kërkohet krijimi i një Task Force pranë Prokurorisë së Përgjithshme me objekt të vetëm  hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Drejtuar: Z. Adriatik Llalla

Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqiperisë.

 

I Nderuar Z. Prokuror i Përgjithshëm,

 

Ka më shumë se një javë që ka filluar fushata zgjedhore dhe që në fillim të kësaj periudhe janë hasur problematika të karakterit penal, të parashikuara këto edhe në ndryshimet e fundit të bëra në Kodin Penal. Partia Socialiste e Shqipërise po konstaton gjithmonë e më shpesh problematika që po pengojnë ushtrimin lirisht të të drejtave kushtetuese të shtetasve dhe subjektet zgjedhore që garojnë në këtë proces zgjedhor dhe po përpiqet ti dokumentojë ato.

Gjithashtu, kjo gjëndje shqetësuese është pasqyruar dhe vijon te pasyrohet përditë në median e shkruar, elektronike dhe atë sociale, me fakte konkrete dhe emra konkret. Fakte të tilla si presion individual apo familjar për devijimin e votës, detyrim per të marrë pjesë në aktivitete politike, të studentëve të sistemit parauniversitar, nënpunësve të administratës publike apo dhënie e marrje premtimi për tregtimin e votes, përbejne jo vetëm një shqetësim serioz per cënimin e garimit të ndershëm, por përbëjnë vepra penale të cilat duhet të evidentohen dhe ndëshkohen nga ana Juaj.

Lidhur me sa me sipër, bazuar në kompetencat Tuaja kushtetuese dhe ligjore, Ju drejtohem me kërkesën për ndërmarrjen e masave organizative, për krijimin e një Task Force, që të ketë si objekt të sajin të vetëm hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, të parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal, duke patur në vëmendje situatën e ngarkuar, në çdo aspekt të sajin, që është krijuar tashmë dhe pritet të theksohet më tej gjatë ditëve në vijim, për periudhën e fushatës zgjedhore.

Shpreh besimin dhe bindjen time të plotë, se kërkesa që po ju paraqes do të vlerësohet prej Jush me rëndësinë dhe emergjencën, që ajo ka dhe do të ketë si përgjigje realizimin e një pune serioze, krejtësisht të pavarur nga aktoret dhe faktoret politike, sikurse jeni zotuar për të bërë dhe sikurse unë personalisht dhe të gjithë shqiptarët kemi shpresën, që do te arrini të përmbushni.

 

KRYETAR I PARTISË SOCIALISTE TË SHQIPËRISË

 

EDI RAMA