Keqtrajtohet nga edukatorja, dëshmon 4 vjeçari

52

femije“Edukatorja më gërvishti me thonj në faqe…”. Vogëlushi 4-vjeçar D.L., i cili sipas prokurorisë është bërë viktimë e një keqtrajtimi në kopsht, është përballur në Gjykatën e Tiranës me edukatoren, e cila tashmë ndodhet nën akuzë. Ndodh rrallë që një fëmijë në moshë kaq të vogël të dëshmojë në gjykatë, por këtë herë, ishte tejet e domosdoshme pyetja e 4-vjeçarit, pasi është pikërisht ai viktima e keqtrajtimit fizik. Gjykatësi Arben Micko, që po shqyrton dosjen penale ndaj edukatores A.T., ka vendosur ta pyesë të miturin, në praninë e nënës së tij dhe psikologes. Ai ka rrëfyer për momentin kur edukatorja e ka kapur prej faqesh, me thonj, pasi nuk pranonte të flinte gjumë në kopsht. Pas dëshmisë së vogëlushit, pritej të rrëfehej e ëma e tij, e cila në fakt ka bërë dhe denoncimin për keqtrajtimin e të birit. Me shumë gjasë, nëna e vogëlushit nuk do të mund të rrëfehet si dëshmitare, edhe pse është personi kyç në tërë historinë, për shkak se ishte e pranishme gjatë marrjes në pyetje të të birit.