Prokurorë të Krimeve të Rënda ngrenë padi ndaj Donika Prelës dhe Arta Markut

22

Dhjetë prokurorë të Krimeve të Rënda do të ngrenë padi ndaj kreut të kësaj Prokurorie Donika Prela dhe kryeprokurores së përkohshme Arta Marku për urdhrin e pezullimit nga detyra dhe ankim civil në gjykatë për pavfleshmëri absolute të urdhrit të nisjes së procedimit.

Bëhet fjalë për grupin e prokurorëve që refuzuan dosjen “Shullazi”.

Procedimi disiplinor ndaj dhjetë prokurorëve po ndiqet nga drejtoria e inspektimit në prokurorinë e përgjithshme.

Tensione tek Krimet e Rënda, çfarë ndodhi dje

Pasditen e së enjtes tek Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pasur tensione.

Prokurorët për të cilët kryeprokurorja Arta Marku kërkoi hetim disiplinor pasi refuzuan dosjen Shullazi kanë kërkuar sqarime nga Prela.

Ata kanë dashur ta takojnë në zyrë, por kur kjo e fundit ka refuzuar, ka pasur një tjetër rebelim në radhët e tyre. Tre prej tyre kanë hyrë me forcë në zyrën e Prelës, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar edhe ndihmën e policisë.

Zyrtarisht nga Krimet e Rënda thuhet se nuk ka pasur tensione fizike mes prokurorëve, e njëjta gjë konfirmohet dhe nga prokuroria e përgjithshme.

Arta Marku transferoi 3 prokurorë, për 7 të tjerë hetim disiplinor

Prokurorja e Përgjithshme ka urdhëruar transferimin e përkohshëm në rrethe të tre prej prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit.

Bëhet fjalë për prokurorët Olsian Çela që do të transferohet në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj e cila do të transferohet në Prokurorinë e Pukës dhe Besim Hajdarmataj që do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit. Me lëvizjen e këtij të fundit është larguar nga prokuroria e krimeve të renda njeri prej prokuroreve qe po hetonte dosjen e ish ministrit te Brendshëm.

Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar hetim disiplinor.

Të mërkurën prokurorët braktisën mbledhjen e thirrur nga drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela duke refuzuar të përfshiheshin në dosjen “Shullazi”.