Arta Marku liron nga detyra Sokol Stojanin

56

Kryeprokuroja Arta Marku liron nga detyra Sokol Stojanin me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ndihmës për subjektet e posaçme, mbrojtes së dëshmitarëve, inspektimit dhe burimeve njerëzore, studimeve, projekteve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Nuk dihet nëse urdhri i Markut për lirimin nga detyra të Stojanit ka lidhje me 10 prokurorët e Krimeve të Rënda, për të cilët Marku kërkoi hetim disiplinor pasi ata refuzuan të përfaqësonin dosjen Shullazi.

Ndërkohë Ora News la siguruar dokumentin e lirimit nga detyra të drejtuesit në Prokurorinë e Përgjithshme Stojani që mban numrin 193, datë 19 shtator 2018.

Urdhëri për shkarkimin e tij ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ky lirim është bërë duke u mbështetur në ligjin Nr. 97/2016 ‘për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, neni 38, pika 2, gërma e’.

Për zbatimin e urdhërit është ngarkuar Sektori i Burimeve Njerëzore.

Ndërkohë dje Marku transferoi 3 prokurorë dhe vendosi në hetim disiplinor 7 të tjerë.

Bëhet fjalë për prokurorët Olsian Çela që do të transferohet në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj e cila do të transferohet në Prokurorinë e Pukës dhe Besim Hajdarmataj që do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit. Me lëvizjen e këtij të fundit është larguar nga prokuroria e krimeve të renda njeri prej prokuroreve qe po hetonte dosjen e ish ministrit te Brendshëm.

Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar hetim disiplinor.

Të mërkurën prokurorët braktisën mbledhjen e thirrur nga drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela duke refuzuar të përfshiheshin në dosjen “Shullazi”.