Presidenti Nishani shpall listën e kandidatëve për një vend në Gjykatën e Lartë

59

NishaniPresidenti i Republikës shpalli sot listën e konkurruesve, të cilët plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për një vend vakant në Gjykatën e Lartë.

“Në përfundim të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë,  Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, shpall kandidatët të cilët plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara në ligjin e lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Procesi përzgjedhës do të vijojë me bashkëpunimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare  të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e kandidatëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë të anëtarit, duke siguruar kështu përbërjen cilësore dhe të nevojshme për Gjykatën e Lartë.

Lista e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, për kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit është: Alaudin Malaj, Astrit Kalaja ,Entela Prifti, Fatos Qato, Luan Dervishi, Sokol Ngresi.

Ndërsa lista për kandidatët që vijnë nga radhët e juristëve është; Adnor Shameti, Ermir Dobjani, Genti Shala, Gjet Kola, Ilir Panda, Luan Daci, Pranvera Strakosha, Prel Martini, Rexhep Bekteshi, Sokol Sadushi, Shpëtime Pitaku.