Moldavia pa viza në BE, ftohet Rusia të ndjekë shembullin

60

ue moldova vizeGjatë mbledhjes së fundit të COREPER I (Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm) të Presidencës lituaneze të Këshillit të BE-së, është rënë dakord të aplikohet një regjim pa viza, ndaj qytetarëve të Republikës së Moldavisë, që duan të udhëtojnë për në BE. Tashmë, pritet që Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian të aprovojnë përfundimisht vendimin, në fillim të vitit që vjen.

“Marrëveshja mbi një regjim pa viza, për Republikën e Moldavisë, është e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e këtij vendi, por edhe për Bashkimin Europian. Përgjatë këtyre 3 viteve të fundit, Kishinau ka bërë përpjekje të forta për të vënë në jetë kërkesat e plan veprimit të liberalizimit të regjimit pa viza dhe konform principit ‘ më shumë rezultate, për më shumë përpjekje’, përpjekjet e tyre për të realizuar reformën, janë tashmë të shpërblyera. Besoj, se kjo marrëveshja do të jetë një inkurajim për të gjithë aktorët politikë moldavë, në ndjekjen e reformave të shumta, në të gjitha fushat në mënyrë që njerëzit të nxjerrin akoma më shumë përfitime”, – ka deklaruar Presidenti i COREPER, Ambasadori Raimundas Karoblis.

Qytetarët e Republikës së Moldavisë, do të mund të udhëtojnë pa viza në BE, që në momentin që Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian do të amendojnë rregulloren, ku është prezantuar lista e vendeve të treta, qytetarët e të cilëve duhet të pajisen me viza, për të kaluar kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare. Komisioni Europian e ka propozuar këtë amendament më 27 nëntor.

“Ne ftojmë gjithashtu partnerët e tjerë oriental, po ashtu edhe Rusinë, të ndjekë këtë shembull të shkëlqyer të Moldavisë. Një aplikim efikas i reformave thelbësore, cilado të jetë baza e tyre, plani i veprimit i liberalizimit të regjimit të vizave ose dokumenti ‘ masa të përbashkëta që synojnë krijimin e një regjimi të përjashtimit të vizave’, është rruga e duhur për të arritur objektivin e dëshiruar nga të dy palët : një regjim pa viza”,- shtoi ambasadori Karoblis.

Në semestrin e dytë të 2013, Presidenca e Lituanisë i ka kushtuar një vëmendje të madhe politikës europiane në fushën e vizave. Një marrëveshje e rëndësishme është arritur javën e shkuar mbi një regjim pa viza, me 16 vendet e Karaibeve dhe të Oqeanit Paqësor, Emiratet e Bashkuara Arabe, Perunë dhe Kolombinë.

Gjatë Samitit të Partneritetit Oriental më 29 nëntor në Vilnius, një marrëveshje e thjeshtëzimit të regjimit të vizave, është nënshkruar me Azerbajxhanin. Po ashtu, janë adoptuar vendime mbi marrëveshjen e thjeshtësimit të vizave dhe të ripranimit me Armeninë, që do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2014. Presidenca Lituaneze ka arritur një marrëveshje për t’i dhënë një mandat Komisionit Europian për fillimin e negociatave me Marokun mbi thjeshtësimin e regjimit të vizave. Bëhet fjalë për marrëveshjen e parë të kësaj natyre me vendet e fqinjësisë jugore./i.t/