Peshku i Karaburunit, në “mbijetesë”. Gjithçka me forcat tona

37

Nëse do të kaloni në zonën e Orikumit, në anë të rrugës që të çon
për në Dukat-Fushë, do të vëreni me siguri një ndërtesë me
mbishkrimin ‘Alb Adriatico’. Një punë e shkëlqyer e Muharrem
Jazaj, kultivues i peshkut në zonën e Karaburunit. Teknologjia e
përdorur, profesionaliteti dhe serioziteti i jep këtij kompleksi
të njëjtin nivel me homologët e tij në vendet më te zhvilluara të
botës. Mbetemi të habitur nga vizita në dhomat e ambalazhimit të
peshkut, frigoriferët depo, dhomat e akullit apo dushet e
punonjësve. Çdo gjë e niveleve apo apo siç i themi ndryshe,
standardeve europiane. Por siç ndodh shpesh në realitetin
shqiptar, pengesat janë nga më të ndryshmet. Mungesa e energjisë
elektrike me orë të tëra, konkurrenca, shpeshherë e pandershme,
dhe indiferentizmi i institucioneve përgjegjëse krijojnë
vështirësi. Gjithashtu pavarësisht pajisjes me etiketa të
personalizuara, konkurrenca e pandershme mbetet vështirësia
kryesore për mbarëvajtjen e këtij biznesi. Muharrem Jazaj, na
mirëpret në ambientet e Alb Adriatico 2013 dhe na rrëfen se dita
ditës mundohen të kapërcejnë problemet që dalin, duke iu dhënë
zgjidhje të shpejta dhe afatgjata. Ai ankohet se prodhimin vendas
të peshkut po e konkurron peshku që vjen nga importi e kryesisht
nga Turqia, i cili është pa cilësi dhe pa standarde. Peshku i
Karaburunit është një nga më të mirët në Europë, ne mbulojmë
tregun vendas dhe më gjerë, tregon ai.


Sasia e prodhimit për vitin 2018 është 1000 ton nga të cilat 600
eksportohen dhe 400 i kalohen tregut vendas. Jazaj tregon se Alb
Adriatico është pajisur me licencë të bashkimit evropian CE dhe

gjithashtu me certifikatën më të lart të sigurisë ushqimore
europjane G.A.P.
‘Aktualisht kam të punësuar 40 persona të zonës Orikum. Ne jemi
një mundësi e mirë punësimi për shumë të rinj të zonës, që përveç
sektorit të turizmit në muajt e verës nuk kanë angazhim në pjesën
tjetër të vitit, shprehet Jazaj.
Punonjësit e kësaj firme shprehen shumë të kënaqur nga kushtet e
punës, mënyra sesi trajtohen dhe pagesa nga kjo firmë.
Duke vazhduar bisedën me drejtuesin e Alb Adriatico, ai radhit mbi
tavolinën e punës një sërë kërkesash e dokumentesh të drejtuara
Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por
nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tyre. Jazaj shprehet skeptik kur
pyetet nëse ndoshta më vonë këta institucione mund të përgjigjen
kërkesave të tij dhe pse jo t’iu japin zgjidhje përfundimtare. Një
tjetër shqetësim i ngritur nga Jazoj është edhe mungesa e
herëpashershme e energjisë elektrike. Për të zbutur deri diku këtë
shqetësim të drejtë, Jazoj ka investuar në blerjen e një
gjeneratori, por kjo nuk konsiderohet një zgjidhje përfundimtare.
Nuk janë vetëm kostot e larta problem i prodhimit të energjisë
elektrike me gjenerator, por edhe ndotja akustike dhe mjedisore.
Alb Adriatico është shembulli i një sipërmarrje tërësisht
shqiptare e nisur nga zero, që falë përkushtimit, zellit dhe punës
së palodhur së drejtuesit Muharrem Jazaj, sot ka arritur që veç
numrit të madh të punonjësve, sasisë së konsiderueshëm të
prodhimit, të konkurrojë denjësisht në tregjet botërore. Si dhe të
jetë pjesë e kontratave me kompanitë prestigjioze europiane e më
gjerë, duke u kthyer kështu edhe në një pasaportë të denjë
shqiptare në botë.