Pesë orë debat në Kuvend për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta

75

Pesë orë debat kanë menduar të zhvillojnë deputetët e mazhorancës në Kuvend për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta.Konferenca e Kryetarëve ka caktuar rreth 170 minuta kohë për deputetët socialistë dhe 130 minuta kohë për opozitën e re në seancën e ditës së enjte, ku do të diskutohet në lidhje me dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në twitter ka zbuluar se vetë ai do të flasë në orën 12:00.

Në draft rezolutën e hartuar tashmë nga socialistët dhe që pritet të votohet në fund të seancës, veprimi i Presidentit konsiderohet nul.

“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”.

Sipas socialistëve, ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejtë në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në kodin zgjedhor. Në fund të rezolutës, maxhoranca i këkron Presidentit të reflektojë.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”.

PS e konsideron një moment historik për vendin këtë periudhë para vendimit për çeljen ose jo të negociatave me BE, ndaj edhe shprehet në këtë rezolutë se njeh të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por vlerëson se dialogu politik dhe institucional midis aktorëve politikë, parlamentar dhe jo parlamentar është rruga e vetme që njeh demokracia funksionale për bashkëjetesën politike dhe shoqërore.