Përplasjet për SHISH-in, Tahiri takon Nishanin

57

saimir-tahiriMinistri Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, është takuar ditën e sotme me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ku në foks të takimit do të jetë situata e sigurisë në vend. Takimi po zhvillohet në ambientet e Presidencës, ku pjesë e diskutimeve do të jenë edhe marrëdhëniet e Shërbimit Informativ Shtetëror me Ministrinë e Punëve Brendshme. Takimi zhvillohet me kërkesë të ministrit Tahiri.

Pak javë më parë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka fajësuar Shërbimin Informativ Shtetëror se është inaktiv dhe nuk informon për ngjarje të rënda, siç kanë qenë shpërthimet me tritol kohët e fundit. Por presidenti Nishani e ka përgënjeshtruar ministrin Tahiri, duke theksuar se Shërbimi Informativ Shtetëror ka informuar në mënyrë profesionale dhe të vazhdueshme Ministrinë e Rendit për “tritolin”.

Deputetët e majtë kanë dorëzuar në Kuvend një kërkesë zyrtare, përmes të cilës kërkojnë ngritjen e një komisioni parlamentar për të kontrolluar nga afër ligjshmërinë e veprimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe udhëzimin për përgjimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Kërkesa e firmosur nga deputeti Piro Lutaj propozon një komision të përbërë nga 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita. Në kërkesë argumentohet se duke qenë se në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë nuk morën përgjigje për shkak të mospasjes së certifikatës së sigurisë nga kreu i SHISHit për t’u njohur me dokumentacionin sekret, është e nevojshme kryerja e kontrollit në ambientet e këtij shërbimi.

Grupi i kontrollit kërkon të verifikojë ligjshmërinë e Shërbimit Sekret dërguar drejtorive të SHISH, ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore të emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit si dhe të gjitha veprimet apo mosveprimet e ndërmarra nga SHISH në zbatim të kësaj kërkese.