Komisioni i Lirive Civile në Parlamentin Europian, ka zhvilluar seancën e tij të katërt, në kuadër të hetimit mbi përgjimin masiv amerikan dhe të vendeve të BE-së, mbi qytetarët europianë. Kjo seancë u fokusua mbi mundësinë për të pezulluar negociatat e shkëmbimit të lirë midis BE-së dhe SHBA, mbi idenë për të krijuar norma ndërkombëtare të ruajtjes së të dhënave personale dhe nevojshmërinë për të pasur një kontroll parlamentar real të aktiviteteve të survejimit.
Marc Rotenberg, i Qendrës së Informacionit të Privatësisë Elektronike, një organizatë e të drejtave civile, qendra e së cilës ndodhet në SHBA, ka sugjeruar se nuk duhet të vazhdohet më tej me marrëveshjen e re të shkëmbimit të lirë (me SHBA) pa qenë të paktën të sigurt që të dhënat me karakter personal janë të ruajtura. Disa eurodeputetë e morën në konsideratë propozimin, por disa të tjerë e refuzuan. Pjesëmarrësit në hetim, shqyrtuan edhe mundësinë e hartimit të normave ndërkombëtare për ruajtjen e të dhënave personale.
Jesselyn Radack, një avokate që përfaqëson shumë denoncues, lexoi deklaratën e Edward Snowden : “Kur fillova punë, qëllimi i vetëm ishte të bëja të mundshëm debatin, që po zhvillohet sot, këtu. Debati publik është i pamundur, pa njohjen publike(…) survejimi i tërë popullatës, jo vetëm i individëve, ngelet sfida më e madhe e kohës sonë për sa i përket të drejtave të njeriut”. Ai përfundoi duke pohuar se, “puna e një gjenerate fillon këtu, me seancat tuaja, dhe ju keni mirënjohjen dhe mbështetjen time të plotë”.
Eurodeputetja holandeze Sophie in ‘t Veld, që drejtonte seancën, shprehu keqardhjen që autoritetet amerikane dhe hollandeze refuzuan ftesën e komisionit parlamentar, për të marrë pjesë në seancat e hetimit.
Komisioni i Lirive Civile ka dëgjuar gjithashtu, dy ish nëpunës të NSA dhe një ish funksionar të MI5. Ish kuadri i NSA, Thomas Drake iu referua nevojës patologjike të Stasit për të qenë në dijeni të gjithçkaje, duke konfirmuar se, nuk e kishte imagjinuar kurrë se, Shtetet e Bashkuara do të përdornin ‘manualin Stasi’ për programet sekrete të survejimit masiv.
Sipas Komunikatës për Shtyp të Komisionit të Lirive Civile në PE, seanca e ardhshme është parashikuar për më 3 tetor, dhe do të përqendrohet mbi akuzat e piratimit të shërbimit informativ britanik, ndaj Ndërmarrjes së Telekomunikacionit belg, Belgacom. Ndër pjesëmarrësit figuron edhe Iain Lobban, drejtor i GCHQ (Selisë qendrore të Komunikimeve Qeveritare) britanike si edhe përfaqësuesit e Belgacom dhe autoritetet belge për ruajtjen e të dhënave./im.ta/