“Po dërgojmë një mesazh unanim ndaj Këshillit: Shqipëria meriton t’i jepet statusi kandidat. Avancoi axhendën e reformave dhe ka arritur një nivel të ri të pjekurisë politike përmes kalimit të duhur të pushtetit në paqe pas zgjedhjeve të qershorit”, shprehet menjëherë pas votimit në një njoftim për shtyp raportuesi Nikola Vuljaniç.
Rezoluta e Parlamentit Europian vlerëson se partitë politike dhe shoqëria shqiptare duhet të përmirësojnë frymën e dialogut dhe kompromisit. Në të vërehet se korrupsioni dhe pandëshkueshmëria janë mbizotëruese dhe nënvizohet nevoja për refomat e sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të të gjitha niveleve, trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore.
“Një sistem drejtësie plotësisht i pavarur, efiçent, i drejtë dhe më shumë i parashikueshëm do të mund të kthente besimin e qytetarëve dhe biznesit ndaj gjyqësorit”, sipas eurodeputetëve. Në rezolutë kërkohet ndaj autoriteteve shqiptare që të merren me zbatimin e varfër të ligjit dhe ekonominë e gjerë informale, me politikat sociale dhe punësimin dhe të krijojnë një administratë të fortë publike. /tch/