Partia Demokratike, ka reaguar pas daljes së liderit opozitar Edi Rama, nëpërmjet zëdhënëses së selisë blu, Laura Vorpsi. PD, theksoi, se, Rama tashmë është i trembur për 21 janarin, dhe nuk dëshiron të flasë për këtë histori. Top Story i tij, sipas PD është koalicioni i ngjalave.
PD, akuzoi liderin Rama, se, 21 janari, ka qenë për të, një strategji për të marrë pushtetin me dhunë dhe më pas, të realizonte një asgjësim elektoral ose e thënë ndryshe një nekrofili elektorale. PD nënvizoi, se, pasi Rama dështoi të vijë në pushtet me tentativën për puç shteti, që sipas PD, për fat të keq, solli viktima, dhe pasi 21 janari nuk e realizoi ëndrrën e tij kryeministrore, tani Rama duke iu gëzuar martesës së re të ngjalave, kërkon ta fshijë këtë ngjarje.
Selia blu, deklaroi gjithashtu, se, Rama po bën çdo gjë për ti shpëtuar drejtësisë. Pasi manipuloi videon, që përdori si pretekst për 21 janarin, si organizator kryesor i përpjekjes për të ardhur në pushtet me dhunë, si ‘kameleon’ që u përpoq për dhimbjen e familjarëve të viktimave, si mburojë për krimin e tij të shëmtuar, për atë çka meritoi shaminë në fytyrën e tij, po bën çdo gjë për ti shpëtuar drejtësisë. Sipas PD-së, këtë e kuptuan më mirë se kushdo vetë socialistët, të cilët treguan një pakënaqësi të paparë në adresat e tij në rrjetet sociale. Revolta e socialistëve ndaj Ramës, në facebook-un e twitterin e tij, vazhdon edhe sot, dhe ai nuk e ndal dot me shpjegimet e tij nga salloni mavi.
Partia Demokratike, i bëri thirrje drejtësisë, të mos ndikohet nga lojërat politike, dhe garantoi shqiptarët, se, ajo do të bëj gjithçka për të vendosur drejtësi dhe për të vënë përpara përgjegjësisë, organizatorët dhe nxitësit e dhunës së pashembullt ndaj institucioneve, që solli 4 të vrarë.
Reagimi i selisë blu, vjen pas daljes së liderit Rama në Top Story të Sokol Ballës, i cili konfirmoi publikisht për 21 janarin, se ‘’ Dora që vrau dhe truri që e urdhëroi, do të dalin para drejtësisë.’’