LSI: ‘Podesta Group’ lobon ndërkombëtarisht për legjitimim të dhunës qeveritare ndaj KQZ-së

72
Ylli Manjani, LSI
Ylli Manjani, LSI

LSI në një konferencë për shtyp ka deklaruar, se, 7 anëtarët e KQZ-së : znj. Lefteri Lleshi, znj. Vera Shtjefni, znj. Albana Shtylla, z. Benar Biba, z. Hysen Osmanaj, z. Jani Jani dhe z. Ilirjan Muho, nuk kanë lidhje me asnjë parti politike në vend. Sipas LSI, asnjë parti politike nuk mund të pretendojë autorësinë apo, më keq akoma, pronësinë mbi anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja dhe funksioni i tij apolitik nuk do të preket. Ky është Kodi Zgjedhor. Kjo është Kushtetuta. Kjo është ligjësia që kemi vendosur bashkërisht me konsensus kur miratuam Kodin Zgjedhor.

Sipas LSI, nëse ka një parti politike, që pretendon, se, ka anëtarë në KQZ dhe se në emër të kësaj, na u dashka të ndërtohen balanca, apo paritete, apo shtylla kurrizore, kjo nuk është gjë tjetër, veçse përpjekje, për të dhunuar politikisht KQZ-në. Kjo është arsyeja, e cila e ka detyruar LSI-në, opozitën në tërësi, partitë politike shqiptare, Komunitetin Ndërkombëtar që të reagojmë më shumë shqetësim. Në prag të zgjedhjeve kërkohet ndryshimi në mënyrë të paligjshme, pa asnjë lidhje me ligjin. Kjo është dhunë e hapur e një pseudomaxhorance, e cila edhe pak ditë qeveris Shqipërinë. Pavarësisht se vullneti politik në emërim ka qenë prezent, nuk mund të gjykojmë pafundësisht, politikisht mbi këtë çështje. Të shtatë anëtarët e KQZ-së funksionojnë njësoj siç funksionojnë 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Presidenti i Republikës, të gjithë këta zyrtarë të lartë, nëpunës shteti, të emëruar nga Parlamenti i Shqipërisë.

LSI, ka bërë thirrje për arsye dhe logjikë, në mënyrë që të lihen institucionet dhe KQZ të punojë, në mënyrë që zgjedhjet të përgatiten siç duhet. Sipas LSI-së, KQZ është i paprekshëm. Ky është standardi. Opinioni publik gjithmonë e më shumë, ngulet si propagandë e qeverisë që është anëtari i LSI-së, që po hiqet. Nuk është anëtari i LSI-së, që po hiqet. LSI-ja dhe gjithë partitë e tjera kanë përfaqësues zyrtarë në KQZ. Manjani theksoi, se, është ai përfaqësuesi zyrtar i LSI-së në KQZ, dhe jo Ilirjan Muho. Ashtu sikurse është z. Kosovrasti përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ dhe jo Lefteri Lleshi, apo ndonjë tjetër. Sipas LSI-së, ky është fakt juridik, fakt publik dhe i emetuar qartësisht, i transmetuar nëpërmjet kamerave dhe nuk ka pse të spekulohet. Ky spekulim vjen nga propaganda e qeverisë për të krijuar idenë, se, partitë politike po i krijuakan një komplot PD-së. Por, sipas Manjanit, kjo nuk është e vërtetë.

LSI denoncoi gjithashtu faktin, se, ‘Podesta Group’, që paguhet dhe lobon për qeverinë shqiptare, me paratë e shqiptarëve, ka lobuar sërish duke u çuar një e-mail përfaqësuesve të medieve ndërkombëtare, ku jo vetëm mbron qëndrimin e PD-së në lidhje me KQZ-në, por ka paralajmëruar edhe për një krizë politike në vendin tonë, të cilën e ka metaforizuar me fjalën, ‘shpërthim fishekzjarrësh’.