Superliga, Skënderbeu prek me një dorë titullin, Kukësi ngjitet përkohësisht i 2-ti

71

SkenderbeuNë ndeshjet e sotme të javës së 22-të të Superligës, korçarët e kuksianët fitojnë në shtëpi. Flamurtari thyhet në Krujë, lë vendin e dytë

Java e 22-të e Kategorisë Superiore regjistron një tjetër sukses për Skënderbeun, i cili ka prekur me një dorë titullin kampion. Korçarët fituan pastër 2-0 në fushën e tyre me Besën, me golat e brazilianit Ademir Souza në minutën e 38-të dhe Fagut në të 68’, duke shtuar dhe tri pikë të tjera në renditje.

Katër javë përpara mbylljes së kampionatit, skuadra e Mirel Josës është 12 pikë e shkëputur nga vendi i dytë dhe 10 nga Teuta, e cila ka një ndeshje më pak. Në ndeshjet e mbetura Skënderbeut i nevojitet vetëm një fitore, për t’u shpallur kampion për të tretin vit radhazi.

Surpriza e këtij kampionati është Kukësi, i cili edhe pse debutues, ka bërë një paraqitje mjaft të mirë. Sot kuksianët fituan në fushën e tyre me Tiranën me rezultatin 2-1, duke u ngjitur momentalisht në vend të dytë, në pritje të sfidës që Teuta do të luajë nesër në Shkodër me Vllazninë.

Flamurtari ka bërë një hap fals, duke u mundur 3-0 në transfertë me Kastriotin. Kjo disfatë u ka kushtuar vlonjatëve vendin e dytë, teksa e kanë ndërlikuar objektivin e tyre për të siguruar një vend në Europa League. Në sfidën tjetër të ditës së sotme, Apolonia ka barazuar 1-1 në fushën e saj me Shkumbinin, por ka qenë një pikë pa vlerë, pasi fierakët e kanë prerë biletën për një kategori më poshtë.

Nesër në “Loro Boriçi” në orën 17:00 do të luhet takimi i fundit i javës së 22-të të Superligës, ku Vllaznia, e cila nuk ka më asnjë pretendim, do të presë Teutën, që synon të rimarrë vendin e dytë në renditje.