PD kërkon në interpelancë Kryeministrin Rama për emërimin e Kreut të Policisë së Shtetit

45

largea_grupi-pd_11379584296Partia Demokratike kërkon interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, në lidhje me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi. Sipas PD-së, emërimi i Didit vjen në kundërshtim me nenin 21 të Ligjit për Policinë e Shtetit, pasi personi i emëruar nuk përmbush kriteret ligjore.

Këshilli i Ministrave nën kryesimin e Kryeministrit Edi Rama, me propozim të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, emëroi Artan Didin në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. 

Neni 21 i ligjit “Për Policinë e Shtetit” përcakton qartësisht kriteret për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

1. Të ketë shërbyer në Policinë e Shtetit për një periudhë prej të paktën 3 vjeçare, me gradën “Drejtues i Parë” ose më lart, ose ekuivalente me të.

2. Të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”ose të ketë mbaruar shkollë, të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, të barasvlershme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të këtij ligji.

3. Të ketë kryer të paktën 16 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetenca policore brenda 20 viteve të fundit. 

Partia Demokratike ka denoncuar publikisht, në mënyrë të përsëritur se emërimi i z. Artan Didi është kryer në kundërshtim flagrant me nenin 21 të Ligjit Për Policinë e Shtetit, sepse personi i emëruar nuk plotëson asnjë nga kriteret taksative të këtij neni për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, thuhet në deklaratën e PD.