Pala greke bllokon në kufi Drejtoreshën e ISSH, Vjollca Braho

166

Vjollca-BrahoDrejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho nuk është lejuar nga pala greke që të hyjë në territorin grek, duke e bllokuar atë në Kapshticë.

Ende nuk janë të qarta rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti, apo edhe shkaqet që kanë shtyrë palën greke të mos lejojë kalimin në shtetin fqinj të Vjollca Brahos.

Në një lidhje direkte për News 24, zonja Braho tha se fakti që është nga Çamëria dhe anëtarë e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është arsyeja e mos lejimit të saj nga policia greke për të hyrë në Greqi. Ajo tha se ka rreth katër orë që qëndron në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ndërsa pala greke i ka bllokuar edhe pasaportën e saj.  Ajo tha se ndërsa ka kërkuar arsyet e bllokimit, pala greke i është përgjigjur se mund të kalojë vetëm pasi të kryhen kontrollet dhe me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të policisë greke.

Drejtoresha e ISSH-së konfirmoi se ka një pasaportë shërbimi, me të cilën kishte lëvizur në shumë vende të tjera të botës. Zonja Braho është Kryetare e forumit të gruas në PDIU dhe anëtare e kryesisë së kësaj partie. Mësohet se pas ndërhyrjes së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, zonja Braho ka mundur të marrë mbrapsht pasaportën e saj të shërbimit.