Policia greke reprezalje shqiptarëve në 101 vjetorin e pavarësisë

77

kakvije 2Me rastin e 101 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, policia kufitare greke ka kryer “reprezalje” në pikën kufitare “Kakavijë”.

Pasditen e sotme është ndaluar drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, njëkohësisht edhe anëtare e kryesisë së PDIU-së, Vjollca Braho. Braho ka qenë duke kaluar pikën kufitare në Kapshticë, kur policia doganore greke e ka ndaluar. Drejtoresha e ISSH-së ka qenë duke udhëtuar me pasaportë shërbimi, por sipas burimeve konfidenciale, mësohet se policia greke ia ka marrë duke mos i dhënë asnjë shpjegim.

Drejtoresha Braho ka deklaruar se ka qenë bashkë edhe me 15 persona të tjerë, ndërsa vetëm ajo është ndaluar në doganë pa i dhënë asnjë arsye.

Në një intervistë të dhënë për “A1 Report”, Braho tha se e kanë ndaluar për arsye politike.

“Më ndaluan për arsye politike, për shkak se jam një nga drejtueset e PDIU-së. Kjo ka ndodhur edhe me persona të tjerë, të cilët janë ndalur nga policia greke për arsye politike, ose vetëm pse kanë qenë çamë. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe të afërmve të mi. Pasaporta mu kthye vetëm falë ndërhyrjeve të shtetit shqiptar”, -deklaroi Braho.

Sipas të dhënave të deritanishme, mësohet se edhe dhjetëra qytetarë të tjerë janë ndaluar në kufirin grek, me pretekstin se kanë jetuar në Greqi për dy muaj pa shkëputje dhe se nuk njihen si turistë.

Por sipas qytetarëve, ata nuk e kanë plotësuar afatin kohor prej tre muajsh, i cili është afati zyrtar që një qytetar mund të qëndrojë vetëm me pasaportë, pa pasur nevojë për vizë turistike, në një shtet të zonës “Shengen”. Po ashtu qytetarët thonë se kanë pasur garancinë që kërkohet si dhe shumën e parave që i duhen një turisti për të ndenjur për tre muaj në një shtet tjetër.