OSBE mbështet gjykatat administrative dhe Shërbimin e Provës

54

osbe-odihr1Të gjithë gjyqtarët e gjykatave administrative morën pjesë më 21 dhe 22 nëntor në një seminar për vënien në jetë të sistemit të drejtësisë administrative në Shqipëri, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Shkolla e Magjistraturës. Gjykatat administrative në Shqipëri u krijuan në fillim të nëntorit 2013 dhe ky seminar synoi të rriste njohuritë e gjyqtarëve të emëruar rishtas lidhur me elementët e rinj proceduralë të parashikuar në ligjin për gjykatat administrative.

“Qytetarët kanë nevojë të shohin që drejtësia vihet në vend edhe kur pala kundërshtuese është një organ shtetëror. Gjykatat administrative kanë detyrën e vështirë të kthejnë këtë pritshmëri të tyre në një realitet të vijueshëm”, tha Fiorentina Azizi, shefe e Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut në Prezencën e OSBE-së.

Prezenca ndihmoi në hartimin e ligjit për gjykatat administrative në vitin 2012 dhe do të vijojë të mbështesë kalimin nga sistemi i gjykatave të përgjithshme në një gjykatë të specializuar administrative, me rregullat e saj procedurale unike. Po ashtu, Prezenca do të ndihmojë në përgatitjen e një manuali për drejtësinë administrative.

Po kështu Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim për 20 punonjës të Shërbimit të Provës nga gjithë vendi si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës. Synimi i trajnimit ishte që t’i ndihmonte punonjësit e Shërbimit të Provës për një njohje më të thellë të aspekteve specifike të punës me të dënuar të mitur me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për riintegrimin e këtyre të fundit në shoqëri.

Trajnimi u përqendrua në njohjen e punonjësve të Shërbimit të Provës me praktikat më të efektshme për trajtimin e të dënuarve të mitur në komunitet, për t’i ndihmuar ata që të hartojnë programe trajtimi, të cilat pasqyrojnë vlerësimet e nevojave dhe të riskut që janë realizuar me të dënuarit e mitur.

Trajnimi u zhvillua në kuadrin e një projekti të Prezencës që ka për synim zhvillimin e praktikave të efektshme të Shërbimit të Provës në Shqipëri. Vit pas viti, Shërbimi i Provës ka arritur suksese të njëpasnjëshme në minimizimin e kostove dhe efekteve negative të dënimit me burgim, dhe një arritje e madhe në këtë drejtim mbetet shtimi i vazhdueshëm i numrit të të dënuarve të mitur me dënime alternative.

“Rritja profesionale e punonjësve të Shërbimit të Provës është një proces i vazhdueshëm dhe një përpjekje shumëplanëshe, duke qenë se të dënuarit nuk kanë nevojë vetëm për mbikëqyrje, por edhe për drejtim, ndihmë dhe nxitje për të arritur përfshirjen e tyre të suksesshme në shoqëri”, tha Shefja e Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Fiorentina Azizi.

“Një shoqëri, e cila ka për synim forcimin e sigurisë publike të qytetarëve të saj, duhet të orientohet nga njëra anë drejt marrjes së masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, dhe nga ana tjetër duhet të sigurojë rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve në shoqëri”, shtoi Drejtori i ri i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa.

Prezenca e OSBE-së ka luajtur një rol kyç në krijimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, duke e mbështetur fuqimisht këtë institucion si në realizimin e veprimtarive që kanë të bëjnë me rritjen profesionale të personelit të tij, ashtu edhe në intensifikimin e bashkëpunimit me institucione të tjera të përfshira në dhënien dhe zbatimin e dënimeve alternative. Prezenca gjithashtu ka luajtur një rol të dorës së parë në fushën e drejtësisë për të mitur si dhe në ngritjen e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre në Shqipëri.