Moti i keq në Vlorë, vonohet trageti Brindisi-Vlorë

46

mot i keqMoti i keq, era e fortë dhe deti me dallgë të fuqishme kanë sjellë probleme për tragetin e linjës Brindisi-Vlorë, i cili nuk ka mundur të mbërrijë ende në port.

Kapiteneria e portit të Vlorës ka njoftuar pezullimin e lundrimit në det për shkak të motit të keq, me erë e dallgë.

Në gji forca e dallgëzimit është 5 ballë ndërsa në det të hapur është 7 ballë, ndërsa era fryn me shpejtësi 20 m/sek dhe ka shira të dendur në gjithë qarkun. Nga ana tjetër rrugët e qytetit janë mbuluar me ujë, por nuk raportohen përmbytje.

Reshjet e shiut janë shoqëruar me shkarkesa rrufesh, duke shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë në qytet dhe zonat përreth.

E njëjta situatë paraqitet dhe në Sarandë, ku është bllokuar lëvizja e mjeteve lundruese në det. Forca e detit shkon 6 ballë, ndërsa reshjet e shiut vazhdojnë të bien me intensitet.