New York, pranga policit shqiptar

63

polici 1 sqipAutoritetet amerikane arrestuan një polic shqiptar, i cili shërbente në “Queens” të New York-ut, pasi akuzohet se u vinte gjoba dhe merrte ryshfete disa bizneseve, mes të cilave edhe bizneseve të drejtuara nga shqiptarët në Nju Jork.

Pak kohë pasi e kishte hapur restorantin e ri në Astoria në lagjen “Queens” të Nju Jorkut, pronari është përballur me një vizitor të padëshiruar. Vizitori i ka thënë pronarit se për të operuar në “lagjen tonë” të kushton para, raporton “The New York Times”.

Kjo kërkesë ka qenë irrituese, pasi pronari i restorantit nuk e dinte se me kë kishte të bënte. Kërcënuesi ishte Redinel Dervishaj, vëllai i një prej shqiptarëve më të kërkuar. Redineli rezulton edhe vetë si një i përndjekur për një incident të vitit të kaluar, në Staten Island.

Redinel Dervishaj ishte arrestuar vitin e kaluar me akuzën e vrasjes

Pronari i restorantit ka thirrur një oficer policie, të cilin e kishte mik. Në vend që të ndërhynte dhe të shuante sherrin, oficeri amerikan me orgjinë shqiptare, Besnik Llakatura, e ka nxitur pronarin që ta paguajë Redinel Dervishajn. Mësohet  se polici Llakatura i ka thënë pronarit, “këta njerëz e udhëheqin Astorian”, duke i bërë kështu të qartë se ai duhet të paguante.

Ajo çka Llakatura nuk i ka thënë pronarit të restorantit, ishte se nga kjo pagesë ai do të përfitonte gjashtë mijë dollarë.

“Viktima është tradhëtuar më tej kur ka kërkuar ndihmë nga Besnik Llakatura, oficer policor i qytetit të Nju Jorkut”, -është shprehur George Venizelos, asistent drejtor i zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Mëngjesin e së martës, oficeri Llakatura është arrestuar në shtëpinë e tij në Staten Island, me akuzën e konspiracionit dhe përpjekjes për zhvatje. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Redinel Dervishajn dhe mbi personin e tretë të përfshirë në ngjarje, Denis Nikolla. Nga të dhënat e policisë së New York-ut, mësohet se Redinel Dervishaj ishte arrestuar edhe vitin e kaluar me akuzën e vrasjes.

Tre të akuzuarit janë imigrantë nga Shqipëria, ndërsa identiteti i pronarit të restorantit është mbajtur fshehtë, por mësohet se edhe ai është shqiptar. Në gjykatë pronari është prezantuar si “John Doe”.

Tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, por gjykatësja e çështjes ka urdhëruar që momentalisht ata të mbahen në paraburgim.

Nga ana tjetër, avokati i Llakaturës, Kevin Keating, ka hedhur dyshim mbi akuzat duke thënë se “kjo është një çështje shumë e çuditshme, që e bën tërësisht të pabesueshme, që një oficer policie të përfshihet në një krim të tillë, vetëm për gjashtë mijë dollarë”,  para të cilat ai do t’i fitonte nëse bëhej pagesa prej pronarit të restorantit.

Por, nga të dhënat e prokurorisë, rezulton se në mes të muajit korrik dhe nëntor, pronari ka paguar 24 mijë dollarë. Dokumentet e gjykatës për këtë rast thonë se në atë kohë pronari bashkëpunonte me FBI-në.

Ky hetim i cili përfshin edhe regjistrime ka hapur një dritare të re për sa i përket zhvatjes së pronarëve të tjerë shqiptarë të restoranteve.