Nishani: Shqipëria meriton statusin

48

Bujar NishaniPresidenti Bujar Nishani, duke pohuar se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, theksoi se një vendim i tillë do të inkurajonte procesin e reformave në të ardhmen.

Deklarata është bërë sot gjatë një takimi që ai pati me Delegacionin e Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga zoti Jonathan Evans, Raportues i Komitetit për Shqipërinë.

“Presidenti theksoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, bazuar në arritjet e deritashme dhe shtoi se një vendim i tillë do të inkurajonte procesin e reformave në të ardhmen, ndër të cilat veçoi sfidat për konsolidimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformimin e sistemit të drejtësisë mbi parimin e profesionalizmit, transparencës, parandalimit të influencave dhe presioneve nga politika, apo nga interesa të tjera korruptive”, citon njoftimi i Presidencës.

Sipas njoftimit, Evans, pasi vlerësoi sukseset e reformave në Shqipëri, shprehu shqetësimin për perceptimin e lartë të korrupsionit në vend dhe mundësinë e ndërhyrjes së politikës në drejtësi dhe aspekte të tjera.

“Ai shfaqi bindjen se presidenti mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe në inkurajimin e dialogut dhe konsensusit të nevojshëm politik të domosdoshëm për mbarëvajtjen e procesit të reformave dhe integrimit”, thuhet në njoftim.

Presidenti vuri në dukje se pjekuria politike dhe shoqërore janë faktorë inkurajues dhe e siguroi bashkëbiseduesin se do të vijojë të jetë garantues i pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe inkurajues i një klime politike bashkëpunimi në vend.