Moore në Tiranë, takime me krerët e politikës

51

jonathan-moore-Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në departamentin Amerikan të Shtetit Jonathan Moore viziton sot Tiranën ku pritet të takohet me krerët e politikës shqiptare.

Diplomati amerikan rikthehet në Tiranë, pas afro një muaji nga vizita e tij e fundit ndërsa pritet që në fokus të takimeve të tij të jetë situata në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Ndërsa është pyetur dje nga gazetarët në lidhje me apelin e ambasadorit të SHBA-së për riformatimin e KQZ-së në seancën e radhës së Parlamentit e cila pritet të mblidhet të enjten, kryeministri Berisha theksoi se askush nuk ka mandat dhe të drejtë të intepretojë ligjet e një vendi tjetër.

I pyetur në lidhje me vizitën e drejtorit të DASH, Moore në Shqipëri, kryeministri Berisha theksoi se diplomati amerikan vjen në Tiranë si dëshmi  e vlerësimit dhe interesit për një Shqipëri, që ecën drejt zhvillimit, drejt afrimit me Integrimin Europian.

Funksionimi i cunguar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i mbetur që prej një muaji me katër anëtarë vazhdon të jetë një shqetësim për komunitetin ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuaj në KQZ e pasojat mbi procesin zgjedhor.

Koha në dispozicion për arritjen e një kompromisi për KQZ duket e shkurtër aq më tepër kur pak ditë më parë, vetë zoti Arvizu pranoi se qëndrimet e palëve janë shumë larg njëra tjetrës.

Socialistët janë shprehur se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI, mund të riparohet vetëm me një riformatim të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin.