Miratohet Projektbuxheti 2014, Rama: Fillimi i rrugës së rimëkëmbjes

55

rama parlamentKuvendi i Shqipërisë ka miratuar Projektbuxhetin e vitit 2014, me 79 vota pro, 37 kundër dhe asnjë abstenim, duke i dhënë fund seancës maratonë, që ka filluar ditën e djeshme. 

Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë fjalës së tij është shprehur se, ky është buxheti që do shënojë fillimin e rrugës së rimëkëmbjes. Ai kërkoi gjithashtu ndjesë ndaj shpërdorimit të gjuhës shqipe në Kuvend duke nënkuptuar fjalorin banal dhe absurd të përdorur nga klasa politike përpara mediave. 

“Dua të falënderoj çdo qytetar dhe çdo familje që e ka ndjekur aq sa ka mundur gjithë këtë debat të gjatë dhe dua t’ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë ndjerë të lënduar në ndjekjen e këtij debati për shkak të shpërdorimit të gjuhës sonë amtare. Miratimi i këtij buxheti hap rrugën e re, është fundi i rrugës së vjetër dhe fillimi i rrugës së rimëkëmbjes, por nga ana tjetër kam të drejtën të bëjë një përmbledhje të shkurtër të gjithë arsyeve që janë në themel të këtij buxheti që u bë edhe shkak të një përplasjeje të fortë të një shumice që ka ardhur në pushtet për të vënë rregull dhe të një pakice që ka ikur dhe që ka lënë pas borxhe dhe katrahurë”- tha Rama.

Pas fjalës së Ramës ka reaguar edhe Berisha, i cili i ka sugjeruar atij të bëjë një vizitë te psikiatri. Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë për udhëtime me bileta të shtrenjta, për fjejte në hotele të shtrenjtë duke theksuar se vetë ai kurrë nuk ka qëndruar në hotele më të shtrenjta se 750 dollarë.

“Me vete merr edhe manarin Fuga. Ti zotëri ke urgjent nevoje një vizitë te psikiatri. Çfarë prisni ju ti bëni këtij vendi, ti ke mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtaret. Ty të kane mjekuar koleget e mi, ke qene i shtrirë me barelë dhe i lidhur, i di mirë ti këto”- tha Berisha.

Kreu i qeverisë Rama, ka reaguar pas fjalës së Berishës, duke vlerësuar se shumica më 23 qershor largoi problemin e madh nga qeveria, por se i takon opozitës, që duhet të sillet si çdo familje që kur plakut të shtëpisë i soset kandili i arsyes nuk e lë te dale nga shtëpia, e të merojë gjithë lagjen.

“Pas 23 qershorit po e bëjmë duke mos ndërhyrë në problemin e madh që ka opozita e duke i dhënë mundësi asaj të ndihet mirë, edhe kur ndihet mirë duke bërë keq, për Kuvendin, opinionin dhe nivelin e sjelljes. Nuk na takon ne ajo që i takon opozitës, që duhet të sillet si çdo familje që kur plakut të shtëpisë i soset kandili i arsyes nuk e lë te dale nga shtëpia, e të merojë gjithë lagjen, bëjeni këtë për ta lenë Shqipërinë të vazhdojë përmes një debati normal, e për te mos e kthyer këtë Kuvend në një lagje, që turbullohet sa herë që plaku del nga shtëpia edhe pasi i është sosur kandili i arsyes”- tha Rama.