“Sot fillon fundi i militantizmit dhe korruptimit të shkollës përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve. Jam këtu për të rikonfirmuar vullnetin e fortë të qeverisë që unë përfaqësoj dhe të institucionit që unë drejtoj”, -deklaroi Nikolla.
Nikolla sqaroi se lajmërimet për konkurrimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen online të MAS. Ajo shpjegoi gjithashtu se, seleksionimi do të bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë. Do të ketë 13 finale publike, mes 3 deri në 5 kandidatë, përballë një jurie prestigjioze të përbërë nga personalitete të arsimit.
“Nga dëshmi prindërish, histori mësuesish e ngjarje të treguara nga nxënësit, e dinim që situata në sistemin tonë arsimor ishte e rëndë. As në makthin tonë më të keq, nuk e imagjinonim dot që gjërat ishin aq keq sa i gjetëm. Nisur nga rekomandimet e grupit të inspektimit të bazuara në gjetjet e këtij procesi, ju komunikojmë se janë marrë masat disiplinore: Zgjidhje e menjëhershme e kontratës për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit, përfshi 12 drejtues të DAR-ve, vërejtje me paralajmërim për 13 punonjës; vërejte për 5 punonjës. Për shkelje të konstatuara, drejtorët që shkarkohen si dhe ata që nxituan të japin dorëheqjen, pasi u përballën me faktet e keq-menaxhimit dhe shkeljet e konstatuara nga ekipi auditues, sigurisht do të përballen edhe me forcën e ligjit”, -theksoi Nikolla.