“Ekonomia jonë ishte drejt greminës në kohën që morëm pushtetin, borxhi po rritej në mënyrë të frikshme, ishte një politikë e gabuar sidomos rritja e shpenzimeve sociale kur ritmi i rritjes ekonomike ishte mjaft i ulët. Për herë të parë kemi stabilizim dhe ulje të borxhit dhe kjo realizohet përmes uljes së parë të deficitit buxhetor”, u shpreh ai.
Më tej, kryeparlamentari vuri në dukje mbështetjen që buxheti i ri do të japë për sektorin e turizmit, ndërsa për sa i takon bujqësisë, Meta tha se ky sektor e meriton mbështetjen që merr nga buxheti dhe do t’ia kthejë këtë vendit.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se dhe riaktivizimi i sektorit të ndërtimit do i jepte një shtysë rritjes ekonomike, e cila në 2015 parashikohet të jetë mbi 3%. “Sa më shpejt të rishikohet kufizimi i mundësive për lejimin e ndërtimeve, jo për të vazhduar me shkatërrimin e territorit, por me ndërtime me kriter, aq më shumë do të shtohen shanset për rritje ekonomike”, tha ai.
Meta ftoi studentët ta shikojnë buxhetin jo si buxhetin e qeverisë apo Parlamentit, por si buxhetin e çdo qytetari dhe sipërmarrje në vend. “Të gjithë kemi në dorë të kontribuojnë që të jetë sa më i dobishëm për ne e familjet tona”, u shpreh ai