Meta nga Mallakastra: Do të hapim vende te reja pune

69

ilir-meta22Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim në qytetin e Ballshit, ku ka prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Fierit dhe kandidatin  e LSI-së për Rrethin e Mallakastrës, Ardian Alushi.

Ilir Meta u shpreh i bindur në një fitore spektakolare të LSI-së në Qarkun e Fierit ndërsa theksoi se kjo forcë politike ka dallime mjaft të forta me kryeministrin aktual.

“Ne shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit dhe kemi dallime shumë të forta me Kryeministrin që do të largohet, sepse ne me planin tonë të punësimit duam që ta vëmë Shqipërinë në punë, ndërsa Saliu me përrallat që tregon çdo natë do që ta vërë në gjumë. Por Mallakastra dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të votojnë më për premtime boshe dhe sa për rrugët që janë bërë para shtatë vitesh, ndërkohë që papunësia rritet çdo ditë, çmimet rriten çdo ditë dhe kosto e jetesës bëhet më e vështirë për mallakastriotët dhe të gjithë shqiptarët”, u shpreh lideri i LSI-së.

Meta shtoi më tej se miratimi i statusit të naftëtarit do të jetë prioritet kryesor i LSI-së  ndërsa shtoi se rritja e punësimit është në fokus të programit të LSI-së.

“Ne kemi një plan të qartë për hapjen e vendeve të reja të punës në të gjitha fushat. Në atë të industrisë, të shërbimeve, të bujqësisë, dhe të industrisë agropërpunuese, në energjetikë dhe unë jam shumë i bindur që me LSI-në, Mallakastra do të gjallërohet, do të zgjohet më shpejt në mëngjes, sepse kanë ku të shkojnë njerëzit në mëngjes: do të shkojnë në punë. Shqetësimi ynë është punësimi i mallakastriotëve dhe i shqiptarëve, sidomos i të rinjve dhe të rejave që vrasin kohën jo për faj të tyre nëpër kafene dhe nëpër loto. Ndërsa shqetësimi i Saliut është si të mos lëshojë karrigen, por ne e kemi zgjidhur edhe këtë punë, do t’ia japim me vete ta marrë karrigen në shtëpi” shtoi Meta.