Mbledhja e Këshillit Bashkiak, të majtët gjejnë mbyllur sallën

41

bashkia tiraneKëshilli Bashkiak i Tiranës vazhdon situatën kaotike. Për këtë javë, anëtarët e këshillit ishin njoftuar për dy mbledhje. Njëra mbledhje u zhvillua dje, rreth orës 18:15 vetëm me praninë e këshilltarëve të djathtë, mbledhje e thirrur nga zv/kryetari i Këshillit Bashkiak Zamir Ndroqi,

Ndërsa, mbledhja tjetër ishte lajmëruar për sot nga kryetari i këshillit, Aldrin Dalipi. Por Këshilltarët e majtë, nuk kanë gjetur të hapur sallën e mbledhjeve të këshillit Bashkiak.

Bashkia e Tiranës, sqaron se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar për thirrjen e Këshillit, për pasojë në orën 16:00 është mbyllur zyrtarisht dita e punës. Bashkia e Tiranës, njoftoi se mbledhjet ishin programuar për të enjten dhe të hënën.

28 Këshilltarët e majtë e zhvilluan mbledhjen në paradhomën e Këshillit Bashkiak. Sipas burimeve nga brenda Këshillit, kreu Aldrin Dalipi pasi e deklaroi të hapur mbledhjen, shprehu keqardhjen që mbledhja u zhvillua në paradhomë, keqardhje edhe për fshehjen e vulës.

Aldrin Dalipi është shprehur se: “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve”.

Në mbledhjen e sotme, e cila zgjati për rreth 20 minuta, u bë e ditur se janë miratuar vendimet sipas programit. Menjëherë pas mbledhjes, për mikrofonin e News24, Këshilltari Viron Bezhani deklaroi se: “Mbledhja e sotme ishte lajmëruar nga kryetari Dalipi, ashtu si edhe nga sekretari i përgjithshëm. Në mbledhje u miratuan ato vendime që kishim në program, u zëvendësuan edhe 3 këshilltarët e rinj”.

Gjithashtu, Bezhani njoftoi se: “U vendos për një mbledhje tjetër urgjente me kryetarët në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet më sepse është në dëm të qytetarëve, shumë qytetarë presin vendimet, ata presin të streohen. Mbledhja e radhës do të jetë me të gjithë këshilltarët, sepse duhet t’i shërbejnë patjetër qytetit të Tiranës”.

Në mbledhjen e djeshme, të Këshillit Bashkiak, ku munguan këshilltarët e majtë, Njazi Kosovrasti njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Këshillit, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës në Këshillin Bashkiak, pas bashkimit të këshilltarëve të LSI-së me ata të PS-së.

“Me synimin që të përmirësojmë klimën e komunikimit dhe mbarëvajtjen e punëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tu shërbejmë sa më mirë qytetarëve të kryeqytetit, unë kam njoftuar në 26 shtator, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës njoftoj dorëheqjen nga detyra”- deklaroi Kosovrasti.

Kryetari i Grupit të Këshilltarëve të Djathtë, Ferdinand Poni, tha se, “ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve, si rezultat iu mazhorancës së re, por në mënyrë të ligjshme të zgjidhet një kryetar tjetër, z. Dalipi apo kushdo tjetër”. Sipas tij, vendimi për zgjedhjen e kryetrarit dhe shkarkimit të kryetarit merret në një mbledhje të ligjshme, kur ajo njoftohet nga kryetari i këshillit.

Referuar mbledhjes së këshilltarëve të majtë në muajin maj, kur zgjodhën si kryetar kreun e Këshilltarëve të Majtë, Aldrin Dalipi, Poni e konsideroi atë jo të ligjshme. “Ky është një atentat tjetër që i bëhet shtetit ligjor dhe ligjit, qytetarëve dhe interesave të tyre. Këshilli Bashkiak ka nevojë për një kryetar të ligjshëm”, tha Poni.

Sipas këshilltarëve të djathtë, mbledhja e muajit maj – ku ishin prezentë vetëm këshilltarët e majtë dhe bënë shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti e në vendin e tij zgjodhën këshilltarin e PS-së Aldrin Dalipi – është e paligjshme. Për çështjen e shkarkimit dhe votimit të kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak të Tiranës të dyja palët i janë drejtuar prokurorisë për të bërë hetime. Po ashtu kjo çështje ka përfunduar edhe në gjykatë, por ende nuk është dhënë një vendim përfundimtar.

Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak, Zamir Ndroqi u bëri apel këshilltarëve të majtë që të bashkëpunojnë për të zgjidhur ngërçin e krijuar, në mënyrë që siç tha ai, Këshilli të nisë punën për vendimet të rëndësishme për qytetarët e Tiranës.