Çfarë po ndodh sot në lidhje me çështjen e Lazaratit? Personalisht mendoj një hipokrizi e madhe. Ky fshat, tashmë ndërkombëtarisht i famshëm, i ka mbijetuar për shumë vite të gjitha ‘sfidave’. Çfarë ndodh në Lazarat? Të gjithë e dinë: kultivohet kanabis-sativa, ndryshe marijuanë ose ‘bar’. Një lloj droge e lehtë, pak më e fortë se duhani, të cilën në Britaninë e Madhe e përdorin 15% e të rinjve dhe në Europë është masiv konsumi në nivelet 7-10%, një biznes që tejkalon dhjetëra e dhjetëra miliardë euro.
Mirëpo çfarë ndodh sot në botë? Cili është debati mbi marijuanën? Në Shqipëri nuk ka fare informacion për këtë, shqiptarët nuk e dinë se jemi realisht në prag të një legalizimi global të kësaj droge të lehtë sepse përfitimet janë vërtet të shumta.
Ndryshe nga çfarë mendohet, numri i përdoruesve zvogëlohet dhe ky leksion vjen nga një vend i famshëm, nga Holanda, e cila ka çuditërisht shifrën më të ulët të përdoruesve, pavarësisht se e ka të liberalizuar përdorimin personal të marijuanës. Jo vetëm kaq, por në Holandën liberale, edhe numri i përdoruesve të drogave më të rënda është më i ulëti. Pikërisht në Europën ku ndalohet kanabis-sativa, sepse, studiuesit thonë me fakte në dorë që përdorimi i marijuanës nuk rrit, por zvogëlon përdorimin e drogave të rrezikshme si kokaina dhe heroina.
Italia e ka legalizimin e marijuanës në rend të ditës dhe mjaft shtete të rëndësishme në Kanada apo në SHBA, ose e kanë legalizuar, ose janë drejt legalizimit, duke i hequr kështu nga dora mafias ndërkombëtare këtë trafik kaq fitimprurës dhe kaq korruptues. Eksperienca rrëfen se pothuajse askush në botë nuk i reziston dot uraganit korruptues që lidhet me këtë trafik. Amerika e provoi me proibicionizmin (lexo ndalimin) e alkoolit në vitet ’30 të shekullit të kaluar, që krijoi korporatën më të madhe të krimit të organizuar të trafikut të alkoolit në historinë botërore.
Korporatë vrastare që kishte në gjirin e vet një ushtri killerash dhe një ushtri informatorësh në gjirin e shtetit. E gjithë kjo sipërmarrje kolosale krimi u shfry si tullumbace kur u hoq ligji që ndalonte tregtimin publik dhe normal të pijeve alkoolike, të cilat ‘vrasin’ sot miliona konsumatorë.
Sot në Europë mendohet se mbajtja në këmbë e ligjit që ndalon konsumin e lirë dhe të kontrolluar të marijuanës, është jo një luftë kundër mafias që e tregton atë, por një arsye se përse kjo mafie lulëzon dhe mbijeton e pamposhtur.
Aq më tepër në fshatin tonë, mjerisht ende provincial, duhet guxim për të shkuar drejt legalizimit simbas modelit holandez. Duke u kujtuar partnerëve ndërkombëtarë se Holanda, e famshme edhe për turizmin e marijuanës që blihet në format 5gr lirisht nëpër kafene, është anëtare brilante e BE. Sepse në Holandë ka rreth 40.000 sera ‘klandestine’ ku kultivohet marijuana dhe ky nuk përbën një skandal europian, por një tolerim që buron nga fryma e ligjit që lejon përdorimin vetjak të ‘barit’.
Kësisoj duket se Lazarati, ashtu në mënyrën e vet, dëshmon se i ‘pamposhtur’ si dhe shfaqet, është një dëshmi e gjallë e domosdoshmërisë së një refleksioni në frymë liberalizuese. Qeveritë kanë ardhur dhe shkuar matanë, ndërsa Lazarati ka mbijetuar, duke u perceptuar si një njollë kombëtare, perceptim ky i tepruar po të kujtojmë 40.000 serat që kultivojnë marijuanë në Holandën e Madhërisë së Saj, kuptueshëm një pikë elegante e furnizimit në nivel europian.
Në vetë baltosjen e talentuar që është tipari ynë virtuoz, është krejt thjeshtëzuese të rrethojmë dhe të ‘bombardojmë’ verbalisht apo ushtarakisht Lazaratin. Në këto kohë që jetojmë, inteligjenca dhe zgjidhjet e mençura liberale janë shumë më produktive sesa qasja trashanike e dhunës.
Prandaj edhe duket se ‘rezistenca’ e Lazaratit, vjen si me porosi për të hapur një debat energjik me frymë liberalizuese që na afron me Amsterdamin. Duke qenë se Amsterdami është në Europë, afrimi me Amsterdamin, është pse jo, një afrim real me trendin që Europa përmes shumë hezitimeve, herët a vonë do të shpalosë në tërësi