Kryeministri në ikje Berisha, vazhdon të rrisë pagat dhe pensionet

50

kryeministri-sali-berisha-11Ndonëse gjendja ekonomike po shndërrohet në një arenë debati, pasi vetëm në 6 muajt e parë të vitit, qeveria ka shpenzuar 90,1% të huamarrjes së brendshme, duke i ngelur thjesht 2.8 miliardë për të marrë hua, Kryeministri i humbur në këto zgjedhje Sali Berisha vazhdon të marrë vendime qeverie, kostoja e të cilave mund të destabilizojnë më tej situatën ekonomike në vend.

Dje, me një vendim qeverie Kryeministri në ikje Berisha, miratoi një tjetër shtesë rrogash dhe pensionesh në kurriz jo vetëm të qeverisë së ardhshme, por në kurriz të qytetarëve shqiptare, pasi kjo logjikë mund të sjellë destabilizim të mëtejshëm të situatës ekonomike në vend.

Kjo situatë për t’u kuptuar më thjesht është si situata e një ndërmarrje e cila është drejt falimentimit dhe vendos të rrisë rrogat e punonjësve të saj. Përfundimi dihet që do jetë një falimentim i shpejtë i saj.

Pavarësisht absurditetit veprues, që duket se nuk po e frenon Kryeministrin në ikje, është vendosur rritja e pensioneve në masën 4 për qind, për 590 mijë persona. Rritje me 4 për qind për pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë. Rritje e pensioneve në fshat, me 5 për qind.

Qeveria në ikje vendos dhe rritjen e pagave të administratës. Paga mesatare e institucioneve buxhetore rritet me 5.4 për qind. Paga për arsimtarët rritet nga 53 300 lekë në 54 828 lekë. Paga mesatare për infermierët, e cila më pas kategorizohet, rritet nga 35 897 lekë në 37 854 lekë. Rritet paga e forcave të rendit nga 55 944 lekë në 57 344 lekë. Rritet paga e Forcave të Armatosura nga 42 400 lekë në 43 472 lekë.

Priten që këto vendime, si edhe një sëre vendimesh të cilat po merren me nxitim nga administrata dhe Kryeministri në ikje, do kalojnë në një filtër anulimesh me ardhjen e qeverisë së re.